Irani synon të anëtarësohet në bllokun e Rusisë dhe Kinës

Irani synon të anëtarësohet në bllokun e udhëhequr nga Rusia dhe Kina, ka thënë presidenti iranian, Ebrahim Raisi. Udhëheqës të këtij blloku po zhvillojnë takime në Uzbekistan këto ditë.

Organizata e Shangait për Bashkëpunim (SCO) – e përbërë nga Kina Rusia, India, Pakistani dhe katër shtete aziatike të ish-Bashkimit Sovjetik – është krijuar më 2001 si organizatë politike dhe ekonomike, që rivalizon institucionet perëndimore.

Samiti i SCO-së, që mbahet këtë javë, është i pari që zhvillohet tërësisht me prani fizike, prej shpërthimit të pandemisë.

“Një prej akteve më të rëndësishme të këtij samiti do të jetë finalizimi i dokumenteve të anëtarësimit në SCO, ashtu që ato të nënshkruhen nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare”, ka thënë Raisi.

Irani, një prej katër shteteve vëzhguese në këtë organizatë, ka aplikuar për anëtarësim të plotë më 2008, mirëpo diçka e tillë i është vështirësuar pas përballjes me sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve te Bashkuara, për shkak të programit bërthamor.

Shumë vende anëtare të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, nuk kanë dashur në mesin e tyre një shtet të sanksionuar.

Mirëpo në një konferencë të mbajtur një vit më parë në Dushanbe, anëtarët e bllokut kanë përkrahur anëtarësimin e Iranit në të ardhmen.

Teherani dëshiron “të përfitojë në aspektin ekonomik dhe të rrisë kapacitetet në rajon, dhe që shtetet aziatike të përfitojnë nga shteti iranian”, ka thënë Raisi.

Kremlini ka thënë të martën se samiti i kësaj jave në Uzbekistan do të jetë “alternativë” ndaj Perëndimit./rel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu