Ish-deputeti në Maqedoninë e Veriut i bashkohet AAK-së

Lajmin e ka bërë të ditur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se si do të jetë vlerë e shtuar në listën e tyre. Haradinaj përmes këtij postimi ka bërë të ditur edhe për disa emra të tjerë që do t’i shtohen AAK-së, ku në mesin e tyre janë: Ermira Retkoceri, Avdi Gërvalla, Rrezofat Azemi, Driton Jakupi, Fatime Lika, Premtim Burrniku, Nexhmije Sadiku e Lavdie Rexhepi.

Postimi i plotë Ramush Haradinaj

“Aleanca garon në këto zgjedhje shumë e qëndrueshme dhe e fortë, me stabilitet në strukturë dhe organizim. Lista e saj për zgjedhjet e 14 shkurtit është garancë për vendin dhe situatën në të cilën po kalojmë.

Për Aleancën do të garojë edhe Prof. Dr. Ruzhdi Matoshi, njeri me integritet dhe përvojë të pasur politike. Ai ka shërbyer si deputet, për dy mandate në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe një mandat në Këshillin e Evropës. Bashkë me të ndjerin Arbër Xhaferi, për tetë vite ishte lobues i madh për pavarësinë e Kosovës dhe për pozitën e shqiptarëve në Ballkan. Profesor universitar dhe luftëtar i dalluar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, ai do të jetë vlerë e shtuar në listën tonë.

Ermira Ratkoceri ka përfunduar studimet në Britaninë e Madhe, bachelor në Kontabilitet dhe Financa dhe Master në Menaxhim Financiar. Ka mbi pesëmbëdhjetë vite përvojë pune në projekte të ndryshme në Britani, si dhe në Kosovë nga viti 2015. Shkollimi dhe përvoja e saj, do të jenë vlerë në politikat financiare, shumë të rëndësishme në krizën ekonomike në të cilën po kalon vendi ynë.

Avdi Gërvalla vjen nga bota e artit. Ka mbaruar fakultetin dhe magjistraturën në degën e aktrimit. Avdiun kemi pas rastin ta shohim në dhjetëra shfaqje teatrale, por edhe në festivale e filma, ku është nderuar edhe me çmime. Ai është pjesëtar i një familje të madhe atdhetare dhe i përgatitur politikisht.

Gjithashtu nga bota e artit vjen edhe Rrezofat Azemi. Ajo është një nga shumë të rejat që kanë lindur në mërgim, por që kanë zgjedhur Kosovën për të jetuar e kontribuar. Rrezja është dizajnere e modës dhe për herë të parë sfidohet në politikë.

Driton Jakupi ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Master në Departamentin e Prodhimtarisë, dega Automatizëm. Profesionist në fushën e tij, ai është paraqitur edhe me punime shkencore në konferenca ndërkombëtare shkencore. Edhe Dritoni, sfidohet për herë të parë në garën politike.

Nga Kaçaniku, kemi gjithashtu dy kandidatë të rinj, Fatime Lika dhe Premtim Burrniku. Premtimi është student në drejtimin e Kulturës Fizike dhe aktualisht ushtron detyrën e kryetarit të degës. Nënkryetarja e degës, Fatime Lika, është ekonomiste me profesion dhe ka përvojë edhe detyra institucionale. Fatimja dhe Premtimi, gjithashtu sfidohen për herë të parë në garën për Kuvendin e Kosovës.

Në listën e Aleancës do të jenë edhe dy zonja, nga familje të njohura atdhetare Negjmije Sadiku dhe Lavdie Rexhepi. Negjmija nga Bllaca e Suharekës, ka Master në Banka dhe Financa, si dhe është në mesin e shumë pak personave që ka marrë certifikatë licencë në drejtimin Anti-Korrupsion nga Ambasada Amerikane. Lavdia nga Prishtina, ka përfunduar bachelor në mjekësi sanitare dhe është duke ndjekur studimet Master në shkencat bujqësore. Me kandidatë të tillë, ndjehem shumë i nderuar që do t’i prij listës së Aleancës. Suksese për të gjithë!”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu