Ish-koloneli i FSK-së: Për Ushtrinë nuk ka jug apo veri, ajo obligohet të veprojë në gjithë Kosovën

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, mori përkrahjen e aleatëve ndërkombëtarë, e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo, zhvillimet e fundit në vend, si vendosja e taksës 100% për produktet serbe dhe boshnjake, si dhe pezullimi i dialogut me Serbinë, ka bërë që mbështetja e ndërkombëtarëve të vihet në pikëpyetje.

Ajo që ngjalli më shumë polemika është anulimi i vizitës së gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr.

Kjo, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Mirëpo, se Kosova do të ndëshkohet edhe më tej nga Amerika nuk e beson ish-koloneli i FSK-së, Enver Dugolli.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se miqësia me SHBA-në është më e madhe dhe më e thellë.

Dugolli thotë se duke pas parasysh mbështetjen e Amerikës për themelimin e ushtrisë, është e palogjikshme situata që SHBA të kthehet kundër vendimeve dhe parimeve të veta.

“Miqësia me SHBA-të është më e madhe dhe më e thellë dhe masa tarifore e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe nuk e dëmton projektin e ushtrisë. Ishte pikërisht mbështetja dhe koordinimi me SHBA-në që na bënë me ushtri, prandaj është e pa logjikshme të mendohet situata kur SHBA të kthehet kundër vendimeve dhe parimeve te veta”, tha ai.

Ish-koloneli thotë se debati rreth heqjes së taksës janë të nxitura nga agjendat ditore politike.

“Ndërtimi dhe avancimi i Ushtrisë se Kosovës është interes edhe amerikan, prandaj në këtë rrafsh, nuk pritet ndonjë përkeqësim i situatës. Situatat rreth taksës dhe debati rreth heqjes apo pezullimit, janë të nxitura nga interesa dhe agjenda ditore politike dhe nuk e dëmtojnë partneritetin me SHBA-në. Subjektiviteti i shtetit te Kosovës duhet forcuar dhe mbrojtur me te gjithë mekanizmat e lejuar ligjor dhe kushtetues”, potencoi ai.

Enver Dugolli, i cili përveç shërbimit në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ka shërbyer edhe si atashe ushtarak në ambasadën e Kosovës në Tiranë, demanton zërat se FSK nuk mund të ofrojë siguri edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Ai thotë se për FSK-në nuk ka jug apo veri, por ka obligim ligjor që të veprojë në gjithë vendin.

“Tani FSK ka mandat ligjor për të ofruar mbrojtje dhe siguri për gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Për FSK-në me këtë mandat që ka tani, nuk ka jug, veri, lindje apo perëndim, ajo ka mandat dhe obligim ligjor që të vepron në të gjithë vendin”, tha Dugolli.

Sipas tij, mangësia e vetme që ka FSK, është armatimi dhe pajisjet e nevojshme për të plotësuar nevojat operative dhe logjistike të saj.

“Tani për tani, FSK ka ende mangësi ne armatim dhe pajisje, prandaj fokusi kryesor i qeverisë (Ministrisë së Mbrojtjes) është që të plotëson nevojat operative dhe logjistike të FSK-së. Insistimi apo përpjekja për kontestimin e të drejtës ligjore e kushtetuese më shume ka te bëjë me aspektin politik se sa real. Në institucione ligj zbatuese (siç është tani FSK) nuk ka interpretime apo hamendësime, ka zbatim dhe moszbatim”, shtoi ai.

Për kolonel Dugollin, shërbimi në TMK dhe FSK, nuk ka pasur dallime të mëdha, për shkak të synimit të njëjtë.

“Në aspektin profesional, struktura e TMK-së kishte defekte më shumë se sa ajo e FSK-së. E meta e TMK-së ishte se përkundër numrit më të madh të personelit që kishte, shumica e tyre ishin oficer, ndërsa ushtarë kishte pak, shumë pak. Figurativisht struktura i ngjante formës se dardhës e cila ishte e fryrë në mes, ndërsa që ishte dashtë të ishte, ashtu siç e kanë të gjitha ushtritë e botës, formën e piramidës. FSK-ja ndonëse më pak në numër, filloj mbarë duke e përmirësuar këtë defekt profesional”, deklaroi ai.

Në fund, ai ka edhe një porosi për të rinj.

“Rinia është aseti më i çmueshëm i atdheut tonë, prandaj rreshtimi i drejtë i rinisë për ta dashur vendin është shpagimi më i mirë i mundshëm kundruall vuajtjeve dhe sakrificave shekullore të popullit tonë”, përfundoi Dugolli.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu