Ish-komandanti: “Deti” në Hagë nuk shkon pa “lejen” e Metës, t’i drejtohet OKB-së

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se Edi Rama nuk ka autorizim për të diskutuar me Greqinë mbi çështjen e detit. Në një takim me aktivistë të shoqërisë civile, Meta u shpreh se nuk është dakordësuar as dërgimi i kësaj cështje në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë. Por cfarë thotë ligji, a duhet të marrë autorizim, kryeministri te kreu i shtetit për të çuar dosjen e detit në Hagë?

Abcnews.al kontaktoi me ish-komandantin e Forcave Ushtarake Detare të Shqipërisë, Vladimir Beja për ta pyetur në lidhje me cështjen në fjalë dhe nëse rruga për në Hagë kalon nga Presidenti? Beja, që ka qenë edhe drejtues i grupit negociator me Italinë u shpreh se me zgjerimin e Greqisë nga 6 në 12 milje, rregullat e lojës ndryshuan dhe tashmë cdo gjë fillon nga zero, me ngritjen e një grupi të ri negociator, që sigurisht, bashkë me dërgimin në Hagë kalon nga plotfuqishmëria e kreut të shtetit.

Ai tha se qeveria nuk ka të drejtë të përgatisë dosjen dhe ta çojë në Hagë, pasi autoritetin e ka vetëm Kuvendi dhe Presidenti. Madje, vijoi më tej ai, nëse nuk e bën qeveria, duhet që Presidenti Ilir Meta të dërgojë një rezervë ligjore në OKB brenda 6 muajve nga momenti që Greqia u zgjerua nga 6 në 12 milje në Jon. Por përse shërben kjo? “Rezerva ligjore do të thotë se unë s’e kam njohur ligjin” deklaroi ai.

Intervista e plotë e Vladimir Bejës:

Sot presidenti riktheu debatin për detin me Greqinë dhe tha se nuk kam pasur asnjë komunikim me kryeministrin duke lënë të kuptohet se mund ta bllokojë procesin e dërgimit të dosjes në Hagë. Për të shkuar në gjykatën ndërkombëtare a duhet të japë “lejen” Presidenti, apo qeveria mund ta anashkalojë?

Meqë dështuan për të hartuar një marrëveshje dhe deklaruan që kanë rënë në mirëkuptim, kanë dëshirë, nuk kanë folur ende në trajtën e formës juridike si do të shkojnë në Hagë, dhe pse në Hagë dhe në Hamburg? Pra ka ndryshuar gjithçka.

Dhe meqë fqinji ndryshoi ligjin për kufirin, cdo gjë fillon krejt ndryshe, pasi janë ndryshuar rregullat e lojës brenda bisedimeve dhe cdo gjë fillon nga e para, me një grup negociator të ri dhe padyshim me një plotëfuqishmëri nga Presidenti, nuk bëhet fjalë më.

Pra cdo gjë duhet të nisë nga zero?
Po. Në momentin që njëra palë ndryshon ligjin për kufirin, së pari vendi fqinj bën rezervën ligjore dhe e depoziton në OKB, për të parë nëse ligji prek interesat e vendit tim apo jo. Edhe presidenti duhet të paraqesë rezervën ligjore në OKB.

Edhe pse fqinji e ndryshoi me mirëkuptim?
Termi mirëkuptim nuk njihet, njihen letrat. Në momentin që ndryshoi ligji për kufirin, ndryshoi deti territorial dhe nuk ka tagër të merret qeveria me tagrin, por është shteti dhe shteti shqiptar është republikë parlamentare ka Kuvendin dhe Presidentin.

Ka afat rezerva ligjore?
Si rregull ka një rregull deri në 6 muaj. Por për këtë juristët e dinë më mirë. Rezerva ligjore do të thotë se unë s’e kam njohur ligjin. Kjo qeveri nuk ka më tagër për të vijuar më tej.

Po presidenti, mund ta dërgojë rezervën ligjore në OKB?
Po. Nëse qeveria nuk e bën mund ta bëjë presidenti, ka autoritetin për ta bërë.

Mendoni se përpara 25 prillit do të ketë zhvillime?
Ne jemi të detyruar ti besojmë më shumë Greqisë, se kryeministri grek deklaroi pas 25 prillit. Nga pala shqiptare vijon terri informativ. Ministria e Jashtme thotë po përgatisim dosjen për në Hagë, por nuk ka dosje as për ta përgatitur dhe as për ta çuar dosjen në Hagë. Në Hagë shkojnë shtetet, në Hamburg qeveritë. Për në Hagë Presidenti dhe Kuvendi kanë tagër. Cdo gjë tjetër është antikushtetuese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu