Në ditën e fundit për publikimin e listave me kandidatët për kryetar komunash dhe kandidatë për këshilltarë komunal, njëri nga themeluesit e partisë më të madhe shqiptare ka ngirut zërin për parregullsitë brenda partiake në disa komuna. Ish nënkryetar i BDI-së Nazmi Beqiri, është rikthyer në skenën politike për të përkrahur një iniciativë që thirret për transparencë në zgjedhjen dhe emërimin e kandidatëve për këshilltar dhe kryetar bëpërmes në komunën e Kumanovës. Ai përmes një postimi në profilin e tij ne fb ka shprehur shqetësimin e tij për siç thotë gjendjen në të cilën ndodhet partia që ai ka bashkëthemeluar, shkruan InfoShqip
Në vijim mund ta lexoni reagimin e plotë të Nazmi Beqirit në progilin e tij në Facebook.
“Letër bashkëpartiakëve
Ta ruajmë të madhërishmën
Pas konferencës për shtyp të mbajtur nga aktivistë (që nga themelimi) të BDI – së, ku mora pjesë edhe unë, e ku, u prezantuan një grusht halle, shumë bashkëpartiakë e shokë të luftës më pyesnin, se, çka po ndodhë në Kumanovë. Ky interesim vjen nga gjitha qytetet e jo vetëm nga Kumanova. Po u tregoj përmes kësaj letre.
Në Kumanovë, BDI, që nga themelimi ka mbajtur vetëm një kuvend zgjedhor, ku për arsye të veta, kryetari i zgjedhur i kësaj dege dha dorëheqje. Pas këtij rasti ka pasur të emëruar edhe katër kryetarë të tjerë dhe të gjithë e pasuan të parin (si për nga dorëheqja, ashtu edhe për nga pësimet që patën…).
Emërimesh, pa respektimin (konsultimin) e bazës, ka pasur për punësime dhe ekzekutiv, nga të cilët të punësuar pati edhe prej atyre që na gjuajtën me gurë gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve parlamentare.
Respektim rregullash kishte vetëm për zgjedhje (qofshin ato lokale apo parlamentare…).
Këtë herë edhe ky respektim i rregullave u thye dhe pa kurrfarë konsultime me bazën e pa thirrur aktivin e partisë në mbledhje, apo qoftë edhe takim, propozimet dhe emërimet u bënë përmes celularit dhe kafeneve…
Kjo shkelje e rregullave statutare lëndoi të gjithë aktivistët dhe bazën e partisë (ata që kanë sedër).
Kjo brengë po bisedohej brenda shokësh dhe frika që paraqitej ishte vetëm ajo për humbjen e zgjedhjeve dhe vet degës së partisë.
Kë takoja, më drejtohej për një reagim përmirësues. Çfarë t’u thoja…
Një ditë më tirri Këshilli Nismëtar i aktivit partiak i përbërë nga
1. Rexhep Rexhepi (Dardani) –ushtar që nga fillimi në male. Me fakultet të mbaruar. Anëtar i BDI – së që në themelimi;
2. Bajram Ademi (Lagja e trimave), ushtar i UÇK – së Kosovë, epror në TMK, ushtar te ne që nga pjesëmarrja në Betejën e Vijcës – me grupin e ushtarëve që siguruan Komandantin e UÇK – së nga forcat ushtarake të RM – së. Me fakultet të mbaruar. Anëtar i BDI – së që në themelim;
3. Berat Ramadani (Skënderbeu) – ushtar që në fillim, gardist i UÇK – së. Me fakultet. Anëtar i BDI – së që në themelim;
4. Nuredin Misini (Çerkez), pjesëtar i Batalionit të katërt të UÇK – së. Profesor. Anëtar i BDI – së që në themelim. Kryetar i shtabit zgjedhor lokal në të gjitha ciklet zgjedhore;
5. Idriz Beqiri (Çerkez), ushtar i UÇK – së, absolvent. Anëtar i BDI – së që në themelim.
Thirrën aktivin e partisë për Kumanovë dhe mbajtën dy takime në klasë të një shkolle (me të cilin rast faleminderojmë përgjegjësin).
Ditën e mbledhjes së parë, shumë njerëz mu drejtuan duke më thënë se, kishin dëgjuar nga të emëruarit se unë (Nazmiu), isha organizatori i kësaj nisme, me anë të së cilës kinse po bëja përçarje në bazën e partisë. Nga e nxorën këtë përfundim!!! Mos e kishte prekur dikë thirrja ime për dalje me një listë përbashkët këshilltarësh të gjithë shqiptarët e Kumanovës!!!
Në atë takim prej 50 – 60 vetash, e mora fjalën dhe thash se, me që po përhapin fjalë të këtilla, do të isha pranë këtij këshilli, i cili nuk po kërkonte asgjë tjetër pos të zbatohej statuti i partisë. Pas këtij takimi të aktivit të partisë, fjalë përçarëse plasoheshin edhe më shumë.
Në takimin e dytë, aktivit të partisë që ishte aty, i thash se nga fjalët e këtyre shtysave, do të bëhem pjesë e juaja.
Pos fjalëve të shtytësve dashakëqij, pasuan edhe disa telefonata nga shokë, por që paraqiteshin me emrin e liderit të partisë që ta ndalja këtë organizim. Duke qeshur i pyesja – e pse lideri iu drejtua ju që të më thoni? Ata përgjigjeshin, se, ai, e dinte se ti na i ke hatrin.
E më befasuesja ishte kur një anëtarë i Kryesisë Qendrore të partisë, më tha, se, i kishte thënë nënkryetari i partisë në emër të liderit, që të më thoshte, ta ndali këtë organizim.
Edhe ky veprim, edhe kjo telefonatë a nuk është veprim i llojit mafioz? Le që ky nënkryetar partie nuk më drejtohet vet, por edhe shpif fjalë ndërshtytëse mes njerëzve, se një njeri i njërës palë qenka kundër një njeriu të palës tjetër brenda aktivit të Kumanovës.
Është fakt se jam kundër veprimit të çdo kujt që thyen rregulla e kuptohet se edhe këtij nënkryetari që vepron jashtë rregullores dhe statutit të partisë, që shpif, që nxitë, vetëm e vetëm për të mbuluar (po e quaj) gabimet e veta në këto emërime. Qëndrimet tona i kemi paraqitur në komunikata, në konferencë për media dhe po i paraqes edhe në këtë letër.
Të respektuar bashkëpartiak dhe ju që u intereson kjo çështje.
Padrejtësitë më bënë që të luftoja me armë në dorë, e që me të paktë e ngrita këtë parti dhe edhe më me të pakt ngritëm lider shqiptar, pas të cilit po fshihen e po shpifin, e mbështeten edhe për veprime mafioze një numër individësh. Po mos të reagoja kundër të keqes, padrejtësive, krimit e shpifjeve, e në rastin konkret për mbrojtjen e statutit dhe bazës së partisë, a do të isha shokë i mirë, a do të isha familjar i mirë, a do të isha profesor e edukues i mirë i brezave të rinj. Por mos keni dert se nuk jam e as kam pranuar emërim apo nominim (qoftë për në pushtet lokal apo qendror).
I lus të gjithë (pa dallim). Ta ruajnë vlerën e të madhërishmen e të shikojnë se ku po shkon vota e shqiptarëve, apo do t’i fajësoni edhe ata si përçarës.
Me respekt ndaj çdo lexuesi” – Përfundoi Beqiri./InfoShqip.com










