Nga viti i ardhshëm nxënësit e shkollave italiane do t’u kërkohet të mësojnë ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmërinë, në përpjekje për të pozicionuar vendin si një udhëheqës botëror në edukimin mjedisor.
Për këtë ka deklaruar edhe ministri i Arsimit i Italisë, Lorenzo Fioramonti, i cili tha se të gjitha shkollat publike do të përfshijnë rreth 33 orë në vit në kurrikulat e tyre për të mësuar çështjet që lidhen me ndryshimin e klimës.
“Ideja është që qytetarët e së ardhmes duhet të jenë të gatshëm për emergjencën e klimës,” tha zëdhënësi i tij, Cramarossa për CNN.
Përveç kësaj, edhe zhvillimi i qëndrueshëm do të shfaqet në lëndë më tradicionale si gjeografia, matematika dhe fizika pasi që do të ketë më shumë vëmendje ndaj ndryshimeve klimatike kur mësohet në këto lëndë.
Këtë kurrikulë kombëtare për t’i kushtuar vëmendje ndryshimit të klimës dhe qëndrueshmërisë do ta ndihmojnë edhe teoricientë dhe ekspertë nga universitetet amerikane.










