Ivanov i heshtur ndaj kërkesës së dhunuesve të 27 prillit

Qetësi në vilën në Vodno. Nëse po përgatitet një falje e re në kabinetin presidencial tani për tani mbetet një enigmë. Megjithëse Alsat dërgoi zyrtarisht pyetje tek Presidentit Gjorge Ivanov, se cili nga të dënuarit ka dërguar kërkesë për falje, dhe nëse do të falen, përgjigje nuk morëm. Mbetet e panjohur nëse falje kanë kërkuar edhe organizatorët e ndërhyrjes së përgjakshme.

Për ata prokuroria ka një hetim, dhe të dyshuarit janë Nikolla Gruevski, Mile Janakieski, Trajko Veljanoski, Spiro Ristovski dhe Nikolla Boshkoski. Derisa juristët janë të ndarë rreth qëndrimeve nëse Ivanov ka mundësi ligjore t’i falë të dënuarit për 27 prillin e përgjakshëm, në publik u imponua një dilemë e re.

Nëse Ivanov eventualisht vendos ta përfundojë mandatin me një amnisti të re, dekretet do t’i nënshkruante me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut, që të publikohen në Gazetën zyrtare, ose do t’i publikojë me emrin Republika e Maqedonisë, me çfarë do të hapet mundësia që mos të jenë të vlefshme. Në këtë mënyrë ai do ta shkelte edhe Kushtetutën.

Përderisa Ivanov ka vendosur të heshtë pasi prej tij të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit kërkuan mëshirë, kryeministri Zaev sërish tha se Ivanov nuk ka të drejtë falë. Në Qeveri pohojnë se nuk ekziston Neni 11 nga Ligji për amnisti, që presidentit i jep të drejtë të falë.

E qartë është si dita, neni 11 i Ligjit për falje nuk ekziston, ai është nen i anuluar dhe nuk mund të veprohet sipas tij. Edhe pjesa e dytë, procedurat që bëhen përmes Ministrisë së drejtësisë nuk munden të arrijnë te Presidenti i Maqedonisë së Veriut dhe nuk mund të procedohen gjatë fushatës zgjedhore. Ato janë veprime të ndaluara, ndikojnë në procesin e zgjedhjeve, sepse përmes tyre ndikohet në numrin e votave dhe te vetë votuesit – tha Zoran Zaev, kryeministër.

Përndryshe, shtizat thyhen rreth Nenit 11 nga Ligji për amnisti – nëse është shfuqizuar ose jo. Nga kjo varet nëse Ivanov ka të drejtë ose jo t’i amnistoje të gjykuarit me një dënim total prej 211 vite burg për 27 prillin e përgjakshëm.

Nga Gjykata Penale sqaruan se deri tek ta, asnjë nga 18 të gjykuarit nuk ka dorëzuar kërkesë për amnisti të cilën ata më pas do të duhet ta ridërgojnë deri tek Ministria e drejtësisë dhe në fund të përfundojë në tavolinën e Ivanovit./express


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu