Izraeli miraton rregullimin ligjor që përshpejton rrënimin e shtëpive arabe

Parlamenti i Izraelit (Knesset) ka miratuar ndryshimet në ligjin për “planifikim dhe ndërtim” që synon të përshpejtojë procesin e rrënimit të shtëpive në vendbanimet arabe, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit në kanalin e Knessetit, rregullimi ligjor që parasheh përshpejtimin e procesit të rrënimit së shtëpive në vendbanimet arabe, është miratuar me 43 vota pro kundrejt 33 votave kundër, në votimin e dytë dhe të tretë, ku mori pjesë edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Më tej thuhet se përmes rregullimeve të reja në ligjin për planifikim dhe ndërtim, Izraeli synon të shfuqizojë kompetencat e gjyqeve për bllokimin e direktivave për shembje, t’u transferojë komiteteve rajonale shtetërore kompetencat për zbatimin e ligjit, dhe ndëshkimin e vazhdueshëm me para për pronarët e shtëpive “pa leje”.

Deputeti i Bllokut të Listës së Përbashkët Arabe në Knesset, Jusuf Xhebarin, përmes një deklarate me shkrim e ka cilësuar si “arbitrar” këtë rregullim ligjor.

“Ky ligj, duke ligjësuar rregulla raciste, tregon fytyrën e vërtetë të qeverisë së shkathtë të djathtë ekstreme”, ka theksuar Xhebarin.

Ndërkaq, Abdullah Ebu Maruf, deputet arab, në deklaratën e tij është shprehur se “Parlamenti ka miratuar rregullim shtypës dhe racist kundrejt arabëve”, duke shtuar se “sot është një ditë e zezë në historinë e Parlamentit izraelit”.

Ebu Maruf ka potencuar se ky rregullim synon që arabët t’i braktisin rajonet ku banojnë, gjë e cila, sipas tij, do të përshpejtojë procesin e rrënimit të fshatrave arabe dhe të imponojë dënime të tepërta në para.

Ndryshe, Izraeli ka rrënuar 11 shtëpi të arabëve në rajonin Kalansuva në muajin janar dhe 15 shtëpi në Ummul Hajran, me pretendimin se kanë qenë pa leje.

Sipas statistikave zyrtare të Izraelit, nga 8.5 milionë banorë të Izraelit, afër 1.5 milion janë palestinezë me shtetësi izraelite që kanë ngelur në vendlindjet e tyre pas okupimit në vitin 1948.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu