Izraeli publikon dëshmi të tjera se nuk qëndron pas bombardimit të spitalit në Gaza

Izraeli ka thënë se ka prova të forta se nuk qëndron pas sulmit ajror në një spital në qytetin e Gazës, ku raportohet për mbi 500 të vdekur, dhe se ishte një raketë e gabuar e lëshuar nga grupi militant Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ) që goditi spitalin, shkruan BBC.

Dëshmitë nga spitali Ahli, ka thënë admirali izraelit Daniel Hagari, tregonin për një top zjarri që shpërtheu nga karburanti i raketës dhe jo ndonjë municion izraelit.

“Ç’është më e rëndësishmja, nuk ka asnjë provë për ndonjë lloj dëmtimi masiv strukturor të shkaktuar nga një bombë izraelite”, ka thënë Hagari.

Sipas Hagarit, Hamasi e dinte këtë, por gjithsesi kishte vendosur të fajësonte Izraelin.

Izraeli ka publikuar edhe një transkript të bisedës, ku pretendohet se janë duke folur dy anëtarë të PIJ-së.

“Po thonë se është e PIJ-së”, thotë njëri dhe tjetri i përgjigjet: “Është nga ne?”.

Folësi vazhdon: “E qëlluan nga morgu pas spitalit”.

“Çfarë?!”, tjetri përgjigjet, të cilit i thuhet: “E qëlluan nga morgu pas spitalit, shkoi huq dhe u ra mbi ta”.

Në rrugët e Gazës, Bregun Perëndimor dhe rajonin më gjerë, pretendimet e Izraelit ka të ngjarë të injorohen ose të refuzohen.

Në një kohë kur Izraeli ka bombarduar pa pushim Rripin e Gazës, është e pashmangshme që shumica e arabëve të arrijnë në përfundimin se Izraeli ishte përgjegjës për sulmin ndaj spitalit.

Por në një kohë kur frika po rritet për përshkallëzim më të gjerë rajonal, a do t’i kushtojnë vëmendje Irani dhe aleati i tij libanez, Hezbollah, argumentit të Izraelit?

Nëse ata [Irani dhe Hezbollahu] arrijnë në përfundimin, me gjithë retorikën, se PIJ ishte përgjegjëse, kjo mund të ketë ndikim në llogaritjet e tyre.

Një hetim i pavarur nuk do të ndodhë. Gaza është një zonë lufte aktive dhe do të jetë për të ardhmen e afërt.

Gjithçka që ka mbetur, tani për tani, është pretendimi dhe kundërpretendimi për një nga humbjet më të rënda të jetëve palestineze në historinë tragjike të rajonit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu