Ish-presidentja e Kosovës dhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se mënyra si është trajtuar në Kuvend Ligji për Dhomat e Specializuara mund t’i shkaktojë dëm procesit të apelit në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Osmani tha se Kuvendi duhet ta lërë politikën anash. Sipas saj, prokuroria mund ta marrë fatkeqësisht procesin parlamentar si rrethanë rënduese ndaj të dënuarve.
Ajo kritikoi edhe ecurinë e ligjit, i cili, siç tha, është miratuar, tërhequr, rikthyer dhe vendosur disa herë në rend dite. Osmani tha se edhe për deputetët është e vështirë të kuptohet cili është qëllimi i propozuesve dhe i Qeverisë. Sipas saj, kjo ka dëmtuar pa nevojë besimin e qytetarëve dhe vetë procesin e apelit.
“Kuvendi nuk ka nevojë të shndërrohet në gjykatore”
Osmani tha se institucionet duhet të përqendrohen në dy drejtime: mbështetjen juridike për ekipet mbrojtëse dhe diplomacinë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës. Ajo i kritikoi institucionet se në muajt e fundit nuk kanë folur në platforma ndërkombëtare për luftën e UÇK-së dhe krimet e Serbisë, ndërkohë që Beogradi, sipas saj, vazhdon përpjekjet për ta rishkruar historinë.
Ajo kujtoi se avokati i Hashim Thaçit ka deklaruar publikisht se institucionet e Kosovës kanë bërë gjithçka të mundur në aspektin financiar. Osmani përmendi edhe rezolutën e Kuvendit që kërkon mbështetje për procedurën e apelit.Duke folur për vizitën e fundit të Jakup Krasniqit në Kosovë, Osmani i uroi shëndet bashkëshortes së tij. Ajo shprehu keqardhje që jo të gjithë anëtarët e familjes patën mundësi ta takonin. Osmani kërkoi që ndaj të dënuarve të zbatohen standardet më të larta evropiane të të drejtave të njeriut, përfshirë vizita më të shpeshta familjare. Ajo hodhi poshtë çdo dyshim se Krasniqi mund t’i shmangej drejtësisë, duke kujtuar se të katërt u dorëzuan vullnetarisht në vitin 2020.
Dialogu: Kosova të mos ecë përpara pa zbatimin nga Serbia
Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë. Ajo tha se Kosova i ka zbatuar marrëveshjet pothuajse plotësisht, ndërsa Serbia nuk ka zbatuar mbi dy të tretat e tyre. Sipas saj, nuk ka kuptim që Kosova të zbatojë pjesën e saj, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, derisa Beogradi mbetet i bllokuar edhe në marrëveshjet me karakter humanitar. Ajo përmendi edhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit si një nga kushtet e Kosovës.
Osmani vlerësoi se ndryshimin nuk duhet ta presim nga Serbia, por nga Bashkimi Evropian. Sipas saj, BE-ja nuk duhet t’i hapë Serbisë grupkapituj të rinj në negociata, derisa marrëveshjet me Kosovën mbeten të pazbatuara.
Deklaratat e Osmanit vijnë pasi ka skaduar afati katërjavor për rishqyrtimin e ligjit të kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula. Kryeministri Albin Kurti dhe PDK-ja kanë paralajmëruar se këtë javë do të procedohet një nismë e re ligjore. Afati për dorëzimin e njoftimeve të ankesës në Hagë skadon më 27 nëntor.










