Top profesionet më të paguara në Maqedoninë e Veriut

Me një pagë mesatare prej 110.801 denarësh (rreth 1.802 euro), programuesit janë bindshëm më të paguarit në Maqedoninë e Veriut, tregojnë të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, përcjell INA.

Në vendin e dytë në listën e pesë profesioneve më të paguara janë Kërkimet shkencore dhe zhvillimi, të cilët morën mesatarisht 87.241 denarë (rreth 1.419 euro) pagë neto.

Pasojnë të punësuarit në Transportin ajror me 78.564 denarë (rreth 1.277 euro), më pas të punësuarit në Magazinim dhe veprimtari ndihmëse në transport me 74.905 denarë (rreth 1.218 euro) dhe të fundit në pesëshen e parë janë të punësuarit në Prodhimin e produkteve bazë farmaceutike dhe preparateve farmaceutike me 71.991 denarë (rreth 1.171 euro) pagë neto.

Në anën tjetër të shkallës, tre profesionet më pak të paguara në vend kanë paga të paktën tre herë dhe madje mbi katër herë më të ulëta se profesionet me të ardhurat më të larta. Kështu, bindshëm në fund janë të punësuarit në sektorin “Veprimtari mbrojtëse dhe hetimore” me pagë mesatare prej 28.056 denarësh (rreth 456 euro). Pasojnë të punësuarit në sektorin “Peshkimi dhe akuakultura” me 30.750 denarë (rreth 500 euro), si dhe ata në Prodhimin e lëkurës dhe produkteve të ngjashme prej lëkure me 32.319 denarë (rreth 526 euro).

Ndryshe, sipas përllogaritjeve të Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare mujore neto e paguar për të punësuar në shtator të vitit 2026 në nivel shtetëror arriti në 49.141 denarë (rreth 799 euro), që është për 8,1 për qind më e lartë krahasuar me shtatorin e vitit 2025./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu