Vuçiq: Nëse tentojnë të më arrestojnë, do të hyj në grevë urie

Presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se një milion njerëz do të dilnin në rrugë në rast se do të tentohej arrestimi i tij.

Duke komentuar shumicën e Listës Studentore në Kuvendin e Serbisë, Vuçiq ka deklaruar se kundërshtarët e tij politikë, sipas tij, janë të përqendruar vetëm në atë se si t’i bëjnë keq dikujt që e urrejnë.

Ai ka theksuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se, në rast të një përpjekjeje për arrestimin e tij, do të nisë grevë urie.

“Çfarë do të bëni atëherë me një milion njerëz në rrugë, në sekondën kur kjo të ndodhte? Unë nuk jam Marinika (Tepiq) dhe Boshko (Obradoviq), që të bëj shaka duke ngrënë ëmbëlsira në mbrëmje dhe fruta gjatë ditës. Nuk kam asnjë problem. Ata menduan se do të ikja, se do të tërhiqesha”, ka deklaruar Vuçiq, shkruan gazeta serbe “Blic”.

Gjatë kësaj paraqitjeje, Vuçiq ka bërë të ditur gjithashtu se një ditë më parë kishte marrë një kërcënim me vdekje nga klani i “Vraçarit”, për të cilin pritet të ketë raportim të veçantë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu