Pasaporta gjermane pas tetë vjetësh dhe me B2? Çfarë vlen tani për bashkatdhetarët

Unioni demokristian CDU/CSU në Gjermani po kërkon sërish rregulla dukshëm më të rrepta për marrjen e shtetësisë gjermane. Sipas një koncepti të zëvendëskryetarit të grupit parlamentar, Günter Krings, dhe zëdhënësit për politikë të brendshme, Alexander Throm, për të cilin ka raportuar gazeta “Bild”, afati minimal i qëndrimit para natyralizimit do të rritej nga pesë në tetë vjet.

Koncepti parasheh gjithashtu që aplikuesit të dëshmojnë njohuri të gjuhës gjermane në nivelin B2, në vend të nivelit B1 që kërkohet sot. Shtetësia e dyfishtë do të lejohej vetëm në raste përjashtimore, që do të thotë se shumica e aplikuesve do të duhej të hiqnin dorë nga pasaporta e vendit të origjinës. Sipas raportimeve, kushte më të rrepta parashihen edhe për sigurimin e jetesës: kush nuk mund ta mbulojë plotësisht vetë jetesën, nuk do të kishte të drejtë natyralizimi.

SPD: Ky nuk është plan i përbashkët

Partneri i koalicionit, Partia Socialdemokrate (SPD), i ka hedhur poshtë këto kërkesa. Zëvendëszëdhënësi i SPD-së për politikë të brendshme, Hakan Demir, i tha gazetës “Tagesspiegel” se raportimi për një paketë të përbashkët reformash me Unionin nuk qëndron. Ai kërkoi që Unioni të ndalë presionin ndaj njerëzve që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Gjermani.

SPD-ja këmbëngul që të respektohet marrëveshja e koalicionit, e cila e ruan natyralizimin pas pesë vjetësh dhe shtetësinë e dyfishtë.

Çfarë vlen tani

Për bashkatdhetarët në Gjermani, për momentin nuk ndryshon asgjë. Sipas ligjit në fuqi që nga qershori i vitit 2024, natyralizimi është i mundur pas pesë vjetësh qëndrimi të ligjshëm, me njohuri të gjuhës gjermane në nivelin B1, me jetesë të siguruar dhe me testin e natyralizimit. Shtetasit e Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut mund ta mbajnë pasaportën e tyre edhe pasi ta marrin atë gjermane.

Mundësia e natyralizimit të përshpejtuar pas tre vjetësh, që kërkonte njohuri të gjuhës në nivelin C1 dhe arritje të veçanta në integrim, është hequr tashmë nga koalicioni aktual.

Propozimi i Unionit nuk është projektligj. Që të bëhej ligj, do t’i duhej mbështetja e SPD-së, e cila për momentin e kundërshton.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu