Ja sa përqind e kosovarëve kërkojnë që Albin Kurti ta dëgjojë Amerikën për taksën

Propozimi i djeshëm i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e pjesshme dhe me kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, për t’i hapur rrugë rifillimit të dialogut mes dy vendeve, është pritur me reagime të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

Partnerja e Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit në koalicionin qeverisës të vendit, Lidhja Demokratike të Kosovës, paralajmëroi se nuk do të votonte në mbledhje të qeverisë për masën e prezantuar nga Kurti, duke thënë se ajo binte ndesh me kërkesën e aleatëve kryesorë të vendit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Administrata e presidentit Donald Trump në Uashington ka kërkuar vazhdimisht që Kosova të heqë plotësisht taksën ndaj Serbisë, pa asnjë kushtëzim. Këtë qëndrim, Amerika e ka përsëritur në natën e së enjtes, teksa i dërguari i posaçëm i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka paralajmëruar kryeministrin Kurti se po bën “gabim serioz”, duke i thënë se masa e tij gjysmake nuk mjafton.

Por, ndryshe nga SHBA’ja, Bashkimi Evropian, ndërmjetësues në bisedimet e deritashme Kosovë-Serbi, e ka përshëndetur pozitivisht propozimin e Kurtit për heqjen e pjesshme dhe me kushte të tarifës, për të nxitur rinisjen e dialogut me palën serbe. Ndaras, edhe Italia e ka lavdëruar Kurtin për qasjen e tij karshi çështjes së tarifës. Propozimin e Kurtit më vonë e ka përshëndetur edhe Britania e Madhe, e cila, megjithatë, ka thënë se do të vazhdojë të kërkojë që tarifa të hiqet plotësisht.

Por, çfarë mendon populli i Kosovës për çështjen e heqjes së tarifës? A vlerësojnë kosovarët se Qeveria e Kosoves duhet të koordinohet për tarifën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo me Bashkimin Evropian?

Gazeta Express ka hapur një sondazh, në faqen e vet zyrtare, në rrjetin social Facebook, në internet, për të matur opinionin publik.

Nga pothuajse 6 mijë përgjigje të regjistruara për pak më shumë se një orë prej paraqitjes së sondazhit, një shumicë e madhe e tyre kanë qenë për opsionin e parë.

Plot 79 për qind e kosovarëve kanë vlerësuar se Qeveria Kurti duhet ta dëgjojë Uashingtonin, ndërsa vetëm 21 për qind e popullatës së anketuar mendon se ekzekutivi kosovar duhet të koordinohet me Brukselin.

Sondazhi i Gazetës Express do të jetë i hapur për të gjithë, për 24 orë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu