Ja si kreu i ushtrisë sekrete të Putinit rekruton të burgosur për në Ukrainë

Dje në disa kanale Telegram u shfaq një video e Yevgeny Prigozhin, i njohur më mirë si “kuzhinieri i Putinit”, i cili drejton kompaninë famëkeqe ruse ushtarake private Wagner.

Videoja tregon Prigozhin-in duke iu drejtuar të burgosurve në rusisht dhe u ofron atyre të regjistrohen për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë. “Regjistrohuni, luftoni në Ukrainë dhe nëse mbijetoni gjashtë muaj, jeni të lirë”.

Fjalimi i Prigozhin-it drejtuar të burgosurve u përkthye nga rusishtja në anglisht nga gazetari i The Wall Street Journal, Jaroslav Trofimov.

“Për herë të parë, u shfaq një regjistrim i rekrutimit nga ana e Prigozhin-it për Wagner-in në një burg rus. Krejt i çmendur. “Askush nuk kthehet prapa hekurave. Nëse shërben gjashtë muaj, jenë të lirë. Nëse vini në Ukrainë dhe vendosni se nuk është për ju, ne vetë do t’ju ekzekutojmë”, shkroi Trofimov në Twitter, duke përkthyer fjalët e Prigozhin-it.

Pamjet e publikuara me sa duket konfirmojnë raportet e mëparshme nga The Wall Street Journal se Prigozhin, një oligark dhe aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, po rekruton të burgosur për t’iu bashkuar grupit Wagner në luftën në rajonin lindor të Donbass.

Oferta e Prigozhin-it për të burgosurit rusë, e regjistruar, përmban disa kushte.

“Mëkati i parë është dezertimi. Askush nuk tërhiqet, askush nuk duhet të dorëzohet, askush nuk duhet të kapet. Gjatë stërvitjes do t’ju tregojmë për dy bombat që duhet t’i keni me vete nëse kapeni”, thotë Prigozhin.

Nëse pranojnë të shkojnë në luftë, të burgosurit nuk duhet të marrin drogë ose të konsumojnë alkool dhe duhet të përmbahen nga plaçkitjet dhe, siç tha Prigozhin, nga “kontakti seksual me grate ose burrat vendas”.

Në fund të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj kompanisë ushtarake private ruse Wagner Group, si dhe ndaj tetë individëve dhe tre kompanive energjetike në Siri, duke i akuzuar ata për operacione sekrete në emër të Kremlinit.

“Grupi Wagner është përgjegjës për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Ukrainë, Siri, Republikën e Afrikës Qendrore, Sudan dhe Mozambik”, thekson BE në gazetën e saj zyrtare, duke përmendur torturat dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore. Kompanitë private ushtarake u zhvilluan veçanërisht gjatë periudhës së sundimit të Vladimir Putinit, dhe më e famshmja është Wagner Group, pronari i të cilit është Yevgeny Prigozhin, një oligark rus i afërt me Kremlinin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu