Katër persona të maskuar në pikë ditës sot kanë kryer një grabitje të një artarie në pjesën qendrore të Kumanovës.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, koha e ngjarjes shënohet në orën 13:24, por nga burime të afërta me hetimin mësohet se grabitja ka ndodhur realisht në orën 12:24, pasi sistemi i kamerave nuk ishte përditësuar me orën dimërore.
Policia ka nisur hetimet në disa pista, ndërsa të dhënat e para tregojnë se grabitësit kanë mbërritur në vendngjarje me dy automjete: një furgon të bardhë të markës “Iveco”, me targa doganore të Gjermanisë, si dhe një veturë “Audi” me ngjyrë të kaltër, me targa të Kosovës (06 – rajoni i Gjilanit).
Nga hetimet paraprake dyshohet se autorët kanë ardhur nga drejtimi i Shkupit, duke shfrytëzuar rrugën e vjetër përmes Haraçinës, dhe pas kryerjes së grabitjes janë larguar në të njëjtin itinerar.
Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipet e policisë dhe Prokuroria Publike, të cilat po kryejnë ekspertizën e nevojshme. Vlera e saktë e dëmit të shkaktuar mbetet ende e panjohur dhe pritet të përcaktohet pas inventarizimit që do të bëhet në prani të pronarit të argjendarisë./INA/










