Janeva vendos për Fetain dhe Bubevskin, kërkohet përjashtimi i prokurorëve nga “Titanik 3”

Konfrontimet që ka sjellë skandali “Reket” brenda Prokurorisë Speciale, shërbyen si arsye që sot avokati Elenko Millanov të kërkojë që Katica Janeva dhe prokurorët e Speciales të autorizuar prej saj, të përjashtohen nga procedimi i mëtejshëm në lëndën “Titanik 3”.

“Këtë e bazoj se aty brenda (në PPS) ka konflikt, mosmarrëveshje dhe rrethana që janë të njohura për publikun e që kanë dalë gjatë javës së kaluar. Zonja Katica Janeva dhe të autorizuarit e saj, që e përfaqësojnë lëndën në seancë, konsideroj se kanë konflikt interesash dhe më tutje nuk mund të jenë përfaqësues”, u shpreh Elenko Millanov, avokat i Ismet Gurit.

Gjykatësja Marija Kletniçka tha se kjo kërkesë e Millanovit nuk korrespondon me dispozitën ligjore ku u mbështet avokati, megjithatë shtoi se janë të obliguar t’i njoftojnë organet kompetente për këtë kërkesë.

Seanca u shty për në orën 14, ndërsa kërkesa e Millanovit i është dërguar shefes së speciales Janeva për të marrë vendim nëse prokuroret e saj Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski do të përjashtohen nga “Titanik 3-shi”, ku të akuzuar janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri për shkatërrim të materialit zgjedhor.

Për procedimet e mëtejshme të lëndëve të Speciales, avokati Elenko Millanov kërkon gjetjen e një moduli për zgjidhje. Sipas tij, Kuvendi si themelues i Speciales të vendosë në bazë të propozimit të Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Nëse vendos Kuvendi, kjo do me thënë se i akuzuari Ejup Alimi të votojë për veten e tij?

“I akuzuari Ejup Alimi në çdo rast mund ta lëshojë seancën plenare dhe të mos vendosë sepse atje vendosin 120 deputetë”.

Por a do ta bëjë këtë gjë?

“Nëse nuk e bën atëherë me të të merret Komisioni Antikorrupsion për konflikt interesash”.

Përndryshe lënda “Titanik 3” e PPS-së është para fjalëve përfundimtare dhe aktgjykimit. Deputeti i BDI-së Ejup ALimi dhe zëvendësdrejtori i DAP Shkup Ismet Guri akuzohen se si anëtarë të Komisionit komunal zgjedhor në Çair, në zgjedhjet lokale të 2013-tës kanë shkatërruar materiale zgjedhore, duke ndikuar kështu mbi rezultatet.


1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu