Javier Solana: Gjithmonë do të mbetem mik shumë i mirë i Maqedonisë së Veriut

Në panelin e dytë të konferencës “Përtej Ohrit“, organizuar në Shkup kushtuar 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, ish-përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE), Javier Solana, përmes video-lidhjes ka shprehur bindje se Maqedonia e Veriut pas shumë vështirësive në udhëtimin e saj “së shpejti do të ketë mundësinë të fillojë negociatat zyrtare me BE-në”.

Konferenca “Përtej Ohrit” u organizua nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve, ndërsa paneli i dytë i kësaj konference kryesohej nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Në fjalën e tij, Solana tha se ai gjithmonë do të mbetet një mik shumë i mirë i Maqedonisë së Veriut. Lidhur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, ai theksoi se kjo marrëveshje është e një rëndësie të madhe për Maqedoninë e Veriut.

E di që keni pasur shumë vështirësi në udhëtimin tuaj. Keni pasur vështirësi me zgjidhjen e emrit tuaj, që është zgjidhur. Keni pasur probleme me gjuhën tuaj, që po ashtu është zgjidhur”, tha Solana, duke shprehur bindje se së shpejti “vendi do të ketë mundësinë të fillojë negociatat zyrtare me BE-në“.

Ndërkaq, përfaqësuesi aktual i BE-së për punët e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, i cili po ashtu ishte i pranishëm në panelin e dytë të konferencës përmes video-lidhjes, tha se 20 vjet më parë Maqedonia e Veriut, së bashku me mbështetjen e BE-së dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtar zgjodhi me guxim kompromisin dhe përgjegjësinë.

Në kontinentin tonë, nacionalizmi dhe grindjet etnike përdoren shumë shpesh për të ndarë dhe mbjellë urrejtje. Por, pluralizmi është pasuri dhe fuqi. Siç e dini, ‘Të bashkuar në diversitet’ ëshë motoja e BE-së”, tha Borrell.

Ndër të tjera, ai tha se përmes Marrëveshjes Kornizë së Ohrit festohet udhëheqja e këtij vendi që ka zgjedhur paqen si mënyrën më të mirë për t’u marrë me diversitetin dhe për të zhvilluar dialogun.

Fjalë rasti në panelin e dytë të konferencës përmes video-lidhjes pati edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Edward Price, i cili theksoi se kjo marrëveshje luajti një rol vendimtar në krijimin e Maqedonisë së Veriut si një demokraci multi-etnike dhe në parandalimin e konflikteve të mëtejshme.

Ne përshëndesim arritjet dhe përparimin e bërë nga vendi në vitet e fundit, të cilat e kanë pozicionuar Maqedoninë (e Veriut) shumë mirë në rajon. Përparimi juaj, siç u demonstrua nga Marrëveshja e Prespës, ka treguar se diplomacia është e mundur dhe po jep fryte”, tha ai.

Price po ashtu shprehu shpresë se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të festohet së shpejti.

Maqedonia e Veriut sot shënon 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptar dhe maqedonas.

Gjatë konfliktit, që zgjati disa muaj, në kryeqytetin Shkup filluan negociatat mes palëve, për të vazhduar më tej në Ohër ku u bë përafrimi i dokumentit. Këto negociata zgjatën dy muaj dhe u mbyllën me sukses më 13 gusht të atij viti me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë në rezidencën presidenciale në Shkup.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu