Jetimi i mbetur rrugëve që fëmijë, vetëm shiu ia fshihte lotët (VIDEO)

Fatkeqësisht fëmijë që mbësin pa kujdesin prindëror, në Shqipëri ka shumë. Jeta nuk është bujare për të gjithë. Nëse Erida flet e lumtur teksa sjell ndërmend çdo kujtim, një tjetër i ri të trishton me rrugët e tij të zymta e pa dritë. Ai është Seldi. Babain s’e njohu kurrë, ai vdiq pa ia lënë dot kujtim të birit fytyrën e tij. Ishte 3 vjeç kur e ëma e largoi nga gjyshërit.

Jetonte vetëm me të, por puna e saj e shtyu drejt rrugëve. Kishte motra e vëllezër, por në fëmijëri s’mundi t’i njohë. Të shumta qenë netët kur Seldi fjeti në qiell të hapur. Shiu ia fshihte lotët. Lot e shi bëheshin bashkë për të derdhur rrëkenë që ftohtë i rridhte në faqe. Për një vit me radhë ai vrapoi i frikësuar nëpër skutat e qytetit të Beratit, kërkonte një strehë për të bërë një sy gjumë fëmijëror.

I mbetur rrugëve pa kujdesin familjar, Seldi nuk mundi të vijojë shkollën si çdo moshatar i tij. Në vitin 2011 ai gjeti një shtëpi, një strehë ku harroi netët në qiell të hapur. Ai u bë pjesë e Zyber Hallullit ku jetoi deri në moshën 18-vjeçare.

Në moshën 18-vjeçare Seldi u largua nga Zyber Hallulli. Pavarësisht ndihmave, ai tashmë do të ishte përsëri i vetëm në jetë. I frikësuar por edhe i fortë, si pak moshtarë të tij bëri dokumentat për të fituar statusin e jetimit. Në moshën madhore Seldi mori statusin e parë, “zyrtarisht jetim”, “zyrtarisht i vetëm”.

Seldi është 20 vjeç dhe ka një ëndërr, të shkollohet dhe të ketë një jetë normale. Ai e nisi klasën e parë në moshën 11-vjeçare. Në vitet e para të jetës kur të gjithë fëmijët mësojnë shkronjat e para, ai mësonte rregullat e jetës atje në rrugë. Në diell e shi, Seldi shkruante vetëm disa shkronja në trotuare: “SI TË MBIJETOJ”.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu