John Bolton: Nëse Donald Trump fiton, do të dalë nga NATO

John Bolton ka qenë këshilltar për siguri nacionale i presidentit Donald Trump. Pas vetëm një viti ai u largua për shkak të mosmarrëveshjeve me Trumpin. Tani Bolton flet në një intervistë mbi rrezikun e fitores së Trumpit.

“Nëse Donald Trump fiton, do të dalë nga NATO”. Kështu është i bindur John Bolton dhe këtë e thotë hapur në një intervistë për gazetat “Süddeutsche Zeitung” (München) dhe “Tages Anzeiger” (Zürich). Sipas Bolton, Trump ishte shumë afër vendimit për dalje nga NATO që gjatë Samitit të Aleancës në vitin 2018. Trump “nuk e do as varësinë europiane nga gazi dhe nafta ruse, as marrëveshjet tregtare me BE-në”, thotë Bolton, përcjell Koha.net.

Deklaratën e fundit të Trumpit kundër NATO-s Bolton thotë se duhet marrë shumë seriozisht. Trump u ankua se europianët nuk po paguajnë sa duhet në buxhetin e NATO-s dhe paralajmëroi se po u bë president në nëntor do të inkurajonte Rusinë të sulmojë ato shtete të NATO-s që nuk paguajnë.

Sipas tij, largimi nga NATO do të ishte katastrofë si për SHBA-të, ashtu edhe për Aleancën Veriatlantike. Por, shtoi Bolton, Trump nuk i kupton këto gjëra. “Trumpin nuk mund ta bindësh me argumente, sepse atij nuk i intereson përmbajtja, por vëmendja. Ai i dëshiron titujt më të mëdhenj që i ka shkruar një president amerikan: që ai i largoi SHBA-të nga NATO”.

Bolton tha se Trump nuk ka filozofi të qeverisjes. Ai çdo gjë e sheh si transaksion ku vendimtare është se sa përfiton Donald Trumpi. Bolton sugjeron që europianët duhet të mendojnë si ta përkëdhelin Trumpin për t’ia larguar vëmendjen nga NATO-ja.

Me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, situata gjeopolitike ka ndryshuar në mënyrë dramatike, thotë Bolton, andaj ai propozon që shtetet e NATO-s të rrisin buxhetin e mbrojtjes deri në 5 apo 6 për qind të bruto prodhimit vendor. Prej vitesh SHBA-të insistojnë që europianët të paguajnë së paku 2 për qind nga bruto prodhimi vendor në buxhetin e NATO-s. Bolton propozon që kjo shumë të dyfishohet.

Bolton kritikoi qasjen e deritanishme të amerikanëve dhe europianëve ndaj Ukrainës. “Perëndimi ka bërë pak për Ukrainën. Armët janë dërguar pak nga pak dhe pas debateve të gjata. Kjo e ka bërë të pamundur një luftë strategjike, andaj frontet janë ngrirë. Pse ndodhi kjo? Sepse nga Joe Bideni shpesh kemi dëgjuar se nuk dëshiron zgjerim të luftës. Ne po lejojmë të trembemi nga Rusia, ndërsa kemi dështuar ta pengojmë invadimin nga ana e Putinit. Kjo frikë e ka zgjatur luftën. Sa i përket strategjisë: kush e gjykon gabimisht llojin e konfliktit, nuk është në gjendje të reagojë si duhet. Këtë e quaj gabimin më të madh të qeverisë së Joe Bidenit”, theksoi Bolton./Koha.net


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu