Jovanovski: Kur unë e mbroja arsimin e lartë në gjuhën shqipe, Ali Ahmeti rrinte në çajtoret e Zvicrës?!

Borjan Jovanovski, është emri që lidhet pazgjidhshmërisht me ish-televizionin e famshëm “A1”, mbyllur nga qeveria Gruevksi, pa asnjë dyshim si akti më i rëndë qeveritar ndaj fjalës së lirë. Në një intervistë për ‘TeSheshi’, Jovanovski rrëfen përvojën e tij të mëparshme gazetareske dhe faktin se e vuan rëndë një Maqedoni të ndarë entikisht, e me një pushtet autokratik.

Ju keni drejtuar një emision shumë prestigjioz, siç ishte “Evrozum”. Na flisni pak për atë lloj përvoje të veçantë mediatike?

Nëse flasim për përvojë , falë atij projekti televiziv që e fillova si iniciativë timen personale në vitin 1998 , kisha mundësi të njoh njerëz të ndryshëm të kulturave të ndryshme, falë edhe udhëtimeve të shpeshta që i pata. Gjithashtu, mu dha mundësia që të mësoj më shumë ose të jem më afër sfidave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ajo që ja vlen të theksohet është fakti se njoha njerëz me funksione shumë të larta të Bashkimit Evropian si dhe shumë politikanë, profesionistë shumë të respektuar nga shumë fusha të ndryshme, deri te njerëzit e thjeshtë, bujq, zanatçinj, studentë etj. Këto udhëtime dhe regjistrime më mundësuan që të ndjej një sadisfaksion të vërtetë në frymën metropolitane; dhe të them të vërtetën, ajo frymë jo çdoherë është e mirëseardhur në mjedise siç është ky i yni. Megjithatë, jam krenar më këtë përvojë timen të papërsëritshme, të cilën e ruaj me fanatizëm.

Atë që sinjifikon gazetaria në Maqedoni, mbase më mirë u reflektua me atë që i ndodhi televizionit nacional më të suksesshëm sipas shumë njerëzve, “A1”, që nga pavarësia e këndej, atje ku edhe punonit ju. Jeni i këtij mendimi dhe si e shikoni mosegzistimit e një medium si “A1” ?

Nga kjo distancë kohore mund ta konfirmoj këtë që thoni ju, por dhe atë që e kam pasur si mendim gjatë gjithë kësaj kohe, sepse isha një ndër themeluesit e atij mediumi. Dhe tashmë kemi plot argumente reale për ta mbrojtur këtë qëndrim. Ai ishte një projekt-pioner i cili e hapi derën e profesionalizmit në Maqedoni. Jo rastësisht kishte aq shikueshmëri, kishte kredibilitet dhe shumë ndikim si medium në vendin tonë. Rënimi i “A1”-shit ishte sinjali i parë i qeverisë që po u shpallte luftë mediumeve të lira dhe profesionale. Dhe ngjarjet e papëlqyeshme që ndodhën mëpastaj me mbylljen e “A1”-shit, në shumë raste kanë tërhequr vëmendjen për këtë që ndodhi. Për fat të keq, shumë intelektualë atëbotë, kolegë tanët, nuk e kuptuan porosinë tonë. Rënia e “A1”-shit si bastion i gazetarisë së lirë, më vonë do të bëhej vetëm rutinë për t`u “shkarkuar” në të gjithë aparatin shtetëror – sic shprehet në përgjimet Jankullovska – pra, në çdo skaj ku valëvitej profesionalizmi ynë.

Gazetaria në shtëpinë tuaj nuk ishte e re për ju, apo jo?

Im atë është shkrimtar. Nëna ime ishte përkthyese e shumë veprave të rëndësishme të literaturës frënge. Sigurisht se i rrethuar me letërsinë, pra artin e fjalës, kjo ka ndikuar në zhvillimin tim profesional të cilën ia lë opinionit ta vlerësoj. Por do kisha dashur të lëvdohem me diçka suplementare: prindët e mi ishin redaktorë në servisin publik ‘RTVM’ dhe pata mundësi tërësisht që të rritem atje, në atë medium, ndaj po e ndjek me një dhimbje të madhe gjithçka që ndodh aty, aktualisht si medium publik, që është gjithsesi për keqardhje.

Na fol pak për idenë e formimit të grupit ‘The reporters’ , se duhet theksuar, është mjaft interesant formimi i një bendi muzikor nga gazetarët?

Ajo para se gjithash ishte ide e Ambasadës Amerikane në Shkup , që të thërrasë gazetarë që kanë pasur përvojë me muzikën dhe ta përkujtojë vrasjen brutale të gazetarit amerikan, Daniel Përl. Dita e vrasjes së tij shënohet gjithandej nëpër botë si shprehje e nevojës së luftës përmanente të një vlere civilizuese sic është liria e shprehjes. Grupi ‘The reporter’ është pikërisht aty, te lufta për liri, nga edhe vjen titulli i albumit “Liria”.

A ka paragjykime në shoqërinë tonë shqiptaro-maqedone?

Ashtu siç u përgjigja në pyejtjen e parë, jam rritur profesionalisht, por edhe anën private e kam të kozmopolitizmit. Për mua është i papranueshëm çdo lloj nacionalizmi, racizmi, ose diçka tjetër në këtë frymë. Dhe vlerësoj se çdo gjë që ka bazë ndarjen etnike, është e papranueshme edhe për civilizimin bashkëkohor. Luftën kundër dukurive të tilla sot e bëj në çdo mënyrë, në punë dhe privatisht. Si gazetar, isha në linjën e parë të fronit për t`iu kundërvënë mënyrës brutale të ndalimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në fillim të viteve nëntëdhjeta, kohë kur Ali Ahmeti ka ndenjur në ndonjë çajtore në Zvicër. Më vonë, në luftë kundër të gjitha këtyre paragjykimeve, u inkuadrova si aktivist dhe anëtar në bordin e “HK”-së për të drejtat e njeriut. Dhe jam krenar që dy vajzat e mia, njëra 7 vjeçe dhe tjetra 9 vjeçe, flasin në mënyrë përfekte edhe gjuhën shqipe edhe atë maqedone.

Si e shikoni perspektivën e Maqedonisë?

Frikësohem për perspektivën e saj. Maqedonia është në udhëkryq për momentin : ose do ta kapë drejtimin e zyrtarizimit të sistemit autokrat i cili vetvetiu do ta çoj vendin në shkatërrim, ose më në fund do të kapë drejtimin e Bashkimit Evropian. Zgjedhja është e jona dhe e bëjmë tani ne, për gjeneratat që vijnë.

Ka disa qarqe në Maqedoni që e kritikojnë Komunitetin Ndërkombëtar, me arsyetimin se duket i pavendosur deri në fund për ta ndihmuar Maqedoninë të dalë nga kriza aktuale, sepse një pjesë të fajit e shikon edhe te opozita, apo tek proçese si publikimi i përgjimeve, lustrimi i gazetares Kostova, etj. Cili është opinioni juaj?

Për lustrimin e Jadranka Kostovës nuk kam asnjë koment. Të gjithë dëgjojmë bisedat telefonike dhe gjithçka është e qartë. Vlerësoj se është edhe një mënyrë brutale për ta ndëshkuar gazetarinë profesionale. Sa i takon Komunitetit Ndërkombëtar, kisha mundur të flas shumë dhe vlerësoj se nuk është e udhës që për situatën që kalon vendi të fajësohet Komuniteti Ndërkombëtar. Ne jemi qytetarë të këtij vendi dhe ne duhet të vendosim se çka duhet bërë me shtetin. Nëse vendosim të jemi pjesë e shteteve demokratike evropiane dhe të komunitetit atlantik, do ta kemi mbështetjen e tyre ; nëse vendosim që të vetshpërbëhemi, kuptohet se Komuniteti Ndërkombëtar nuk mundet të na ndihmojë. Ata e bënë një herë këtë në vitin 2001, e tani e kemi rradhën që vetë të gjejmë zgjidhje. /tesheshi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu