Juve-Inter është edhe Ronaldo-Icardi; krahasimi përmes shifrave

Golat, pasimet, asistet, përqindjet… Në prag të kryendeshjes së javës së 15-të të Seria A, Juventus-Inter, mediat italiane kanë vënë përballë numrat e dy sulmuesve: Cristiano Ronaldo dhe Mauro Icardi. Të dy janë pika referuese në skuadrat respektive, ndaj përballja mes tyre shihet edhe si një sfidë brenda supersfidës.

Në letër duket një duel i pakrahasueshëm. Nga njëra anë është CR7, që ka fituar plot 26 trofe me klubet, 5 “Topa të Artë” dhe dhe Kampionatin Europian me Portugalinë. Përballë tij qëndron “Maurito”, që ende e ka zero kuotën e titujve, sikurse shprehej edhe Jose Mourinho. Gjithsesi, ajo që do të dominojë skenën e “Allianz Stadium” është aktualiteti i tyre.

Mbi të gjitha, duke iu referuar statistikave të këtij sezoni, hendeku ekzistues është “zhdukur”, si në Serie A, ashtu edhe në Champions. Një krahasim ndoshta i pavend mes dy yjeve, që kurrë nuk janë përplasur në fushën e blertë me njëri-tjetrin, në ndeshjet zyrtare, as në nivel klubesh dhe as kombëtaresh.

Po çfarë e bën intriguese këtë sfidë brenda supersfidës? Vetëm golat. Në këtë kampionat, portugezi ka shënuar 10 gola në 14 ndeshje të luajtura në kampionat, ndërsa Icardi e ka gjetur rrugën e rrjetës 8 herë në 11 ndeshje, ku është aktivizuar. Ata kanë realizuar respektivisht 32% dhe 30% të golave të Juventusit dhe Interit në Seria A.

Nëse shtojmë edhe golat e Champions-it, atëherë ish-sulmuesi i Real Madridit ngjitet në kuotën e 11 “rrjetave” në 18 ndeshje, ndërsa ish-i i Sampdorias 11 të tilla në 16 përballje. Ronaldos i janë dashur mesatarisht 141 minuta lojë për çdo gol, ndërsa Icardit 119 minuta. Më e ndjeshme është diferenca sa u përket asisteve.

Ronaldo ka shërbyer 6 herë për gol, ndërsa Icardi vetëm në dy 2 raste. Nëse krahasimi shtrihet përgjatë gjithë karrierës, hendeku është shumë i madh në favor të Ronaldos dhe kjo jo vetëm për faktin se portugezi është 33 vjeç, ndërsa Icardi 25 vjeç. CR7 ka shënuar 584 gola në 779 ndeshje, në rang klubesh; ndërsa argjentinasi 129 gola në 231 ndeshje. Mesatarja e portugezit është 0.75 gola për ndeshje, ndërsa ajo e sulmuesit zikaltër 0.56 gola për ndeshje.

Pas dy ditësh, gjithsesi, të dy do të nisen nga zeroja. Nëse Ronaldo kundër Interit ka realizuar vetëm një gol, kur luante me Manchester United (më 11 mars 2009, në Champions), Icardi e ka bërë Juventusin një nga dy “viktimat” e tij të preferuara. Kapiteni zikaltër i ka shënuar 8 herë “Zonjës së Vjetër”, me fanellën e Sampdorias dhe Interit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu