Juventusi, gjeni për “falas”: Ylli tjetër që pritet të vijë me kosto zero

Nga blerjet e bujshme me kosto zero, te komisionet e pasura për agjentët. Juventusi tashmë e ka treguar veten në këtë drejtim, kur është puna për falas.

Thjesht sillni në mendje Andrea Pirlo, Paul Pogba, Dani Alves, Emre Can, Aaron Ramsey dhe Adrien Rabiot, të gjithë të “akaparuar” në kohë, para zyrtarizimit.

Në “furrë” duket se po “piqet” një tjetër goditje e bujshme, emri i të cilit ishte mjaft i lakuar edhe në merkaton e kësaj vere. Fjala është për danezin Christian Eriksen, kontrata e të cilit me Tottenham skadon në vitin 2020.

Deri më tani, rinovimi duket i pamundur, edhe pse “Spurs” i kanë ofruar trefishim të pagës yllit të tyre. Situata e tij është ajo që tërheq disa klube të mëdha.

Së pari dhe më kryesori, Juventusi, i cili, siç raportohet nga “Daily Mail”, ka ndërmarrë hapat e parë në këtë drejtim.

Menaxherët bardhezinj kanë kontaktuar me mjedisin përreth futbollistit dhe po përgatisin ofertën më të përshtatshme të mundshme. Kjo, për ta shtyrë Eriksen drejt Torinos.

Në ditët e fundit të merkatos në Angli, Manchester United u përpoq ta rrëmbente yllin e datëlindjes 1992, por nuk ia doli.

Danezi ishte ende pjesë e një interesi të fortë, që vinte nga Spanja, ku ende është e mundur të bëhen blerje të reja. Real Madridi thuhet se e ka një sy nga mesfushori i “Spurs”.

Nëse nuk rinovon kontratën me klubin aktual, Eriksen mund të pajtohet me Juventusin që nga janari, për ta planifikuar në kohë të ardhmen, gjithnjë e më larg nga Londra.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu