​“Ka mungesë transparence”, kërkohet të pezullohet përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe KPM-së

Është mbajtur një konferencë urgjente për media lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Borfit të RTK-së dhe KPM-së, lidhur me shqetësimet për këto procese. Shoqëria civile kërkon që ky proces të pezullohet dhe të rinisë kur të sigurohet që ka transparencë.

Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se ky proces është jo transparent që nga fillimi nga ana e Kuvendit të Kosovës.

“I gjithë procesi është jo transparent që nga fillimi, nga ana e Kuvendit të Kosovës, nga ana e deputetëve të partisë më të madhe Vetëvendosje. I gjithë organizimi i shqyrtimit të dosjeve të kandidatëve që kanë garuar, janë mbi 70 për RTK dhe mbi 30 për KPM. Ka shkuar në mënyrë të tillë që ka pasur mungesë transparence dhe për këtë anëtarë të opozitës dje e kanë bojkutuar mbledhjen e Komisionit ad-hoc për RTK-në’, tha Rexha.

Rexha potencon se shoqëria civile kërkon që ky proces të pezullohet momentalisht dhe të rinisë kur të sigurohet që procesi është transparent.

Ndërsa, Mexhide Demolli, drejtuese ekzekutive e Lëvizjes FOL e përshkruajti procesin si të komprometuar.

“Gjithë ky proces është i kompromentuar, nga të gjitha proceset që kemi monitoruar në të kaluarën nga Kuvendi i Kosovës, ajo që ndodhi dhe pamë dje e pritet të ndodh edhe sot është krejt e kundërta nga ajo praktikë e mirë që kemi ndërtuar në të kaluarën”, tha Demolli.

Flutura Kusari, juriste e medias shtoi se niveli i kualitetit të kandidatëve që kanë kandiduar është i ulët.

“Niveli i kualitetit të kandidatëve që kanë kandiduar është jashtëzakonisht i ulet. Është vështirë me gjet profesionist që e meritojnë të jenë anëtarë të Bordit të RTK-së dhe kjo ka ndodhur se profesionistët nuk i besojnë Lëvizjes Vetëvendosje që do të zhvillojnë proces fer, transparent dhe sipas meritokracisë”, tha Kusari.

Kusari theksoi se është përmendur që mbrëmë janë thirrur kandidatët për intervistë dhe kjo sipas saj, është “tallje me demokracinë”.

E, Gëzim Shala ka thënë se për shkak të tentativave të vazhdueshme për ndërhyrje në këto institucione, Kosova deri më tani është ranguar shumë poshtë.

“Komisioni i Pavarur për Media si një institucion i pavarur dhe kushtetues dhe si rregullator I mediave ka rëndësi kruciale…Bashkë me transmetuesin publik janë bazament i demokracisë. Për shkak të tentativave të vazhdueshme për ndërhyrje në këto institucione, Kosova deri më tani është ranguar poshtë e më poshtë në raporte të ndryshme kombëtare”, tha Shala.

Ndërkohë, sot Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit te RTK-së ka nis intervistimin e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu