Kacarska: Mospublikimi i protokollit të propozimit francez shkakton dyshime dhe interpretime të ndryshme

Zëdhënësja e komisionerit të BE-së, Oliver Varhey, Ana Pisonero, dje ka shprehur pritshmëri që Maqedonia të shqyrtoj me sukses propozimin francez dhe tha se vendimi duhet të merret nga një vend sovran.

E pyetur për përmbajtjen e kornizës së negociatave dhe përfshirjen e çështjeve dypalëshe me Bullgarinë në propozim, ajo nuk komentoi, por theksoi se dokumentet janë në dispozicion të publikut në ueb faqen e Qeverisë së Maqedonisë.

“Pas dërgimit të propozimit të rishikuar francez, keni parë që kryeministri Kovaçevski ka paralajmëruar një proces të gjerë konsultimi me të gjitha palët relevante, ky proces konsultimi është në vazhdim e sipër, dhe sigurisht që vendimi për këtë propozim të rishikuar është vendim sovran i Maqedonisë. Mendoj se jemi afër, pas ngjarjeve dhe debateve që po zhvillohen”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Dhe derisa Brukseli është në pritje të vendimit të Maqedonisë për propozimin francez, një pjesë e opinionit ekspert në vend mendon se është thelbësore që qytetarët të kenë një pasqyrë sa më të qartë të propozimit dhe se Kuvendit duhet t’i jepet hapësirë ​​në mënyrë racionale për të diskutuar të gjitha çështjet.

Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane thotë se pa publikimin e protokollit dypalësh me Bullgarinë nuk mund të flitet për një debat plotësisht përmbajtësor.

“Mospublikimi i protokollit dhe procesverbalit e bën të pamundur vlerësimin e situatës nga disa persona dhe ndoshta për këtë krijohet hapësira për dyshime dhe interpretime të ndryshme. Ndoshta do të ishte më mirë për të gjithë ne nëse do të dinim në tërë atë paketë se cilat janë ato dokumente dhe si duken. Përndryshe, nuk mund të flasim për një debat thelbësor. Kuvendi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse e dimë që hapi i parë që na vjen është ndryshimi i Kushtetutës në propozimin aktual të kornizës së negociatave, i cili nuk do të jetë një hap i lehtë dhe për të duhet të sigurohen të gjithë palët e interesuara”, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane.

Lidhur me opsionin për mbajtjen e mundshme të referendumit për propozimin francez, Kacaska thotë se një proces i tillë do të ishte i gjatë dhe i mundimshëm, por se nuk duhet të përjashtohet si zgjidhje për shkak të polarizimit në shoqëri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu