Kadaj-Bujupi: S’e heqim taksën, pavarësisht çka thotë Thaçi

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se qeveria e Kosovës nuk do ta heqë taksën për mallrat serbe, pavarësisht se presidenti Hashim Thaçi paralajmëroi se ajo mund të hiqet.

Duke thënë se janë dy pushtete të ndara, Kadaj-Bujupi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se taksa është veprim që nuk duhet të ndalet dhe është përgjigje e duhur për agresionin e Serbisë.

“Kemi pushtete të ndara, është veprim i jashtëzakonshëm i qeverisë. Pas një agresioni që ka pas Serbia muajve të fundit është ndal dhe po flet vetëm për taksë sepse i kemi shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Ka marrë përgjigjen e duhur për agresionin që vazhdimisht po e bën dhe s’e ka ndal fare”, ka thënë ajo duke shtuar se duhet të merren edhe masa të tjera.

Ajo po ashtu ka thënë se tema e korrigjimit të kufijve me Serbinë nuk mund të flitet përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Ka shtuar se pasi Serbia ta njohë Kosovën mund të flitet për territoret që janë shkëputur në histori.

“Jemi në një fazë që s’mund t’i riparojmë. Fillimisht të vijë njohja e më pas po mund të flasim për territore që janë shkëputur padrejtësisht në histori. Por kur nuk e njeh Serbia nuk mund të flasim për këtë as si ide. S’mund t’i diskutojmë kufijtë, por padrejtësitë që janë bërë ndaj trojeve shqiptare. Territori siç është njohur më 17 shkurt duhet të ruhet e konsolidohet brendapërbrenda, ndërsa trojet që padrejtësisht janë nda mund të diskutohen pas njohjes në tryeza të ndryshme kur ne flasim për shqiptarët atje, por në nivele të barabarta kur shtetet njihen reciprokisht. Në këtë fazë çdo hapje e kësaj teme e çon Kosovën drejt një humnere. Është së pari shkelje kushtetuese dhe krejtësisht e papranueshme”, ka thënë ajo.

Kadaj-Bujupi ka shtuar se është e parëndësishme se kush mund ta arrijë marrëveshjen përfundimtare, por se çfarë përmban marrëveshja.

“Është e parëndësishme kush e arrin marrëveshjen. Me rëndësi është se çfarë do të jetë ajo marrëveshje e të mos merremi me bajraktarizma se kujt po i mbetet merita apo faji. Duhet të jemi bashkë në proces të vështirë, nga i cili duhet të marrim rezultat të pranueshëm për Kosovën. Të votohet me 2/3 e votave në Kuvend. Të mbyllim kapitullin e fundit. Këtu po e shoh një nguti që sa më parë të mbyllet duke dhënë edhe afate kohore. Nuk mendoj se është kështu dhe që të ngutemi vetëm për hir të procesit. Duhet të organizohemi që procesi të sjellë rezultate pozitive në mënyrë që finalja, marrëveshja të jetë e pranueshme. Nisja duhet të jetë njohje reciproke, Serbia të paguajë dëmet e luftës, të japë informata për të pagjeturit, të japë llogari për krimet e luftës pasi janë me mijëra kriminelë serbë të lirë, madje pa viza lëvizin në Evropë, ndërsa qytetarët tanë janë izoluar”, ka shtuar ajo.

Sa i përket sondazhit të fundit, të porositur nga Vetëvendosja, ku AAK-ja doli e katërta, Kadaj-Bujupi ka thënë se kjo parti gjithmonë në sondazhe del më keq se në realitet.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se Ligji për Qeverinë do të rregullojë problemet me numrin e madh të të punësuarve në qeveri.

Pasi KTV-ja raportoi se kryeministri Ramush Haradinaj është bërë me 35 këshilltarë dhe zëvendëskryeministrat me nga 9-11, në Interaktiv, Kadaj-Bujupi ka thënë se numri i madh i partive në koalicion është shkaktar për rritjen e numrit të të punësuarve.

“Pajtohem që është qeveri shumë e madhe, më e madhe se që duhet të jetë. Kemi pas shumë ankesa edhe për zëvendësministra edhe për këshilltarë. Tashmë qeveria është në finalizim të Ligjit për Qeverinë dhe besoj se do ta përmirësojë. Për shkak të përbërjes shumë partiake e mendoj se shumë janë hy në punë, dhe kjo mund të përsëritet për shkak të sistemit zgjedhor sepse partitë po varen prej koalicioneve. Pres që qeveria së shpejti ta sjellë ligjin dhe do të angazhohemi të gjithë deputetët që të sqarohet kjo përmes ligjit, e të mos mbetet në vullnet të lirë të kryeministrit, e ministrave sepse po shohim çka mund të ndodhë. Në programin tonë kemi parapa dhjetë ministri, jo më shumë. Për një vend si Kosova është e mjaftueshme. Do të jetë edhe propozim për ligjin”, ka thënë ajo duke shtuar se ky ligj nuk dihet a do të hyjë në fuqi në këtë mandat, apo në të ardhshmin.

Sa i përket shtesave për fëmijë, deputetja e AAK-së ka thënë se implementimi do të nisë më 2019, por fillimisht duhet të bëhet kategorizimi ku aty ku ka më pak të hyra të rriten shtesat për fëmijë.

Kadaj-Bujupi po ashtu ka thënë se ekipi shtetëror për dialogun me Serbinë duhet të japë sqarime në Kuvend për çdo takim që bën, përfshirë edhe të parin që e pati të martën me Federica Moghernin, Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu