Rikonstruksioni i linjës hekurudhore Shkup-Kërçovë, pjesë e Korridorit 8, është përfshirë në Listën e Parë Përfundimtare Prioritare të projekteve për investime publike, të miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore dhe forcimin e lidhjeve të vendit me rajonin dhe Evropën.
“Ky është një projekt me rëndësi strategjike për vendin dhe një investim i drejtpërdrejtë në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, forcimin e lidhjes së brendshme dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut me rrjetet rajonale dhe evropiane të transportit”, deklaroi Zekolli Shaqiri.
Ajo theksoi se Korridori 8 paraqet një arterie strategjike për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me rajonin dhe Evropën, ndërsa rikonstruksioni i linjës Shkup-Kërçovë pritet të mundësojë transport më efikas dhe infrastrukturë më moderne.
“Korridori 8 nuk është vetëm një linjë hekurudhore, është një arterie strategjike që e lidh vendin tonë me rajonin dhe Evropën”, theksoi Zekolli Shaqiri.
Sipas saj, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të vazhdojë të investojë në projekte që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e vendit.










