Kancelari gjerman po bën përgatitjet, Kurti dhe Vuçiç mund të takohen prap këtë vjeshtë në Berlin

Ambasada gjermane në Prishtinë ka bërë një përmbledhje të angazhimit të Gjermanisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në një përgjigje për Gazetën Express, gjermanët kanë konfirmuar se Kancelari Scholz do t’i ftojë Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç për takim në Berlin, me ndërmjetësim të tij.

Në telefonatat që i shkonin Kryeministrit Albin Kurti e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit dhe përfshirja publike e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë në takimin e 18 gushtit, nuk përmendej Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për dialogun Kosovë – Serbi, Manuel Sarrazin, as Gjermanisë në përgjithësi.

Megjithatë, Gjermania është aktivisht e përfshirë në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi dhe është në kontakt me përfaqësuesit e caktuar nga Bashkimi Evropian dhe emisari amerikan, Gabriel Escobarin, thotë Ambasada gjermane në Prishtinë, në një përgjigje dhënë Gazetës Express.

Qeveria Federale, përfshirë Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, e përkrah plotësisht procesin e dialogut, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përpjekjet proaktive të Përfaqësuesit të Lartë të BE-s, Josep Borrell dhe gjithashtu Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcakun. Përfaqësuesi Special i Qeverisë Federale është në kontakt të rregullt me të dy ata dhe poashtu edhe me Emisarin Special amerikan, Escobar, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të besueshme, sic është parë nga vizita e tij e fundit në Uashington. Ai po ashtu është në kontakt të ngushtë me negociatorët kosovare dhe serbë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Angazhimin e Gjermanisë në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, ambasada e përshkruan, duke rikujtuar ftesat e Kancelarit gjerman, Olaf Scholz për Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, e më pas vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd.

“Qeveria Federale ka qenë e përfshirë aktivisht prej kohësh në këtë çështje dhe vazhdon të jetë. Rishtas, në majin e këtij viti, Kancelari Scholz ftoi Presidentin Vuçiç, Kryeministrin Kurti dhe Perfaqësuesin Special Lajcak, në Berlin, dhe, në qershor vizitoi Serbinë dhe Kosovën, ndërsa Ministri i Jashtëm i kishte vizituar në mars”.

Ambasada gjermane tregon se Kancelari Scholz ka nisur përgatitjet për një takim mes Kurtit dhe Vuçiçit, që do ta ndërmjetësojë ai, këtë vjeshtë, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Këtë vjeshtë, si pjesë e Procesit të Berlinit, Kancelari Scholz do t’i ftojë të dyja palët, me qëllim të lehtësimit të mëtutjeshëm të dialogut. Janë duke u bërë përgatitjet për këtë takim”.

Gjermania e ka mirëpritur takimin e 18 gushtit me Kryeministrit kosovar dhe Presidentit serb dhe e vlerëson që këta të dy janë marrë vesh për t’i vazhduar negociatat.

“Është e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të punojnë për një zgjidhje të zbatueshme. Një eskalim i radhës me bllokadë të rrugëve dhe protesta të dhunshme, nuk është në interes të askujt. Në vend të tyre, një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme mes dy palëve është e nevojshme, duke zhbllokuar përspektiven evropiane për të dy shtetet dhe duke kontribuar në sigurinë rajonale”.

Siç është deklaruar edhe më parë, Gjermania përkrah vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet e lëshuara nga Serbia, duke thënë se ato janë në linjë me marrëveshjet ekzistuese.

Megjithatë, ka pritje që masat të zbatohen, pa shkaktuar tensione në veri të vendit, sic ndodhi një muaj më parë, në fund të korrikut.

“Është e qartë që masat duhet të zbatohen, në një mënyrë që s’do të krijonte tensione të reja. Kështu që, fokusi tash është në një angazhim konstruktiv në bisedimet e vazhdueshme”, thotë Amabasada gjermane në Prishtinë.

Kosova pritet ta fuqizojë më 1 shtator vendimin e pezulluar për të hequr targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia, për rajone të Kosovës dhe gjithashtu të vendos reciprocitetin për dokumentet e Serbisë, duke u dhënë shtetasve të saj letra hyrje/dalje, kur hyjnë në Kosovë.

Deri atëherë, përfaqësuesit e BE-së kanë thënë se shpresojnë për aranzhimin e një takimi tjetër, pasi ai i 18 gushtit rezultoi pa ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbië.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu