Kanë kaluar 71 vite, palestinezët akoma kanë shpresë se do kthehen në shtëpitë e tyre

Më shumë se shtatë dekada që nga dëbimi nga Palestina historike në vitin 1948, palestinezët ende nuk heqin dorë nga kërkimi i së drejtës së tyre për t’u kthyer në shtëpi, shkruan Anadolu Agency (AA).

Shtatëdhjetë e një vjet më parë, qindra e mijëra palestinezë u detyruan të iknin nga fshatrat dhe qytetet e tyre në Palestinën historike drejt vendeve fqinje si Jordania, Libani dhe Siria.

Një pjesë tjetër e palestinezëve u zhvendosën në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor si pasojë e sulmeve në rritje të bandave cioniste për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të Izraelit.

Më 9 prill 1948, më shumë se 250 palestinezë u vranë nga bandat cioniste, të cilat organizuan një sulm vdekjeprurës në fshatin palestinez Deir Yassin.

Palestinezët përdorin termin “Nakba” në arabisht, që do të thotë “Katastrofa”, për t’iu referuar dëbimeve të vitit 1948 nga bandat cioniste.

Konflikti Palestinë-Izrael daton që nga viti 1917 kur qeveria britanike, në Deklaratën e Balfourit tashmë të njohur, bëri thirrje për “themelimin e një atdheu kombëtar në Palestinë për popullin hebre”.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, më shumë se 1,5 milion palestinezë, pothuajse një e treta e refugjatëve të regjistruar palestinezë, janë të shpërndarë në 58 kampet e njohura të refugjatëve në Liban, Jordani, Siri, Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, përfshirë edhe Kudsin Lindor.

Përkundër vuajtjeve të tyre disadekadëshe, palestinezët ende vazhdojnë të afirmojnë të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, duke krijuar mënyra për ta bërë këtë të drejtë të arritshme.

E fundit prej mënyrave të tilla për të mbajtur të gjallë në kujtesë të drejtën e kthimit ishte organizimi i protestave javore përgjatë zonës kufitare Gaza-Izrael.

Gjatë 54 javëve që nga fillimi i protestave në mars të vitit të kaluar, gati 270 demonstrues u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën nga forcat izraelite të vendosura pranë zonës tampon.

“E drejta për t’u kthyer është thelbi i çështjes palestineze”, tha Ahmed Abu Ruteima për AA, një organizator i Marshit të Madh të Kthimit.

“Refugjatët palestinezë ende besojnë në këtë të drejtë. Gjeneratat e reja trashëgojnë çelësat e shtëpive të gjyshërve të tyre si një mënyrë për të mbajtur këtë të drejtë të gjallë në mendjen e tyre”, theksoi ai.

E drejtë e pakompromis

Abu Ruteima thotë se ideja e Marshit të Madh të Kthimit erdhi për t’i përkthyer në veprim kërkesat për kthim në Palestinën historike.

“Përmes protestave gjatë vitit të kaluar është theksuar se e drejta për t’u kthyer është një e drejtë e vërtetë dhe e fortë që nuk mund të hiqet dorë”, tha ai.

Ndërkohë, Hasan al-Habeel, një i ri nga Gaza i cili sapo ka mbërritur në Turqi për të ndjekur studimet e tij, ndau me AA përvojën e tij gjatë pjesëmarrjes në Marshin e Madh të Kthimit gjatë gjithë vitit.

“Si një i ri palestinez, i cili ka përjetuar Intifadën e Dytë dhe tre luftëra izraelite mbi Gazën, Marshi i Madh i Kthimit përfaqëson fazën më kritike në jetën time”, tha ai.

“Çdo pjesëtar i familjes sime, përfshirë babanë dhe nënën, merrnin pjesë në protesta”, shtoi al-Habeel.

Kjo mënyrë e luftës, thotë el-Habeel, “ringjalli vetëdijen e popullit për të drejtën e kthimit”.

“Ne kemi parë njerëz të moshuar, fëmijë, gra dhe të rinj që shkonin drejt gardhit të sigurisë. Gjithçka ka të bëjë me shpresën që Marshi i Madh i Kthimit e krijoi”, thekson ai.

“Marshi i Madh i Kthimit hodhi poshtë të gjitha pretendimet se gjenerata e re e palestinezëve do ta harrojë këtë të drejtë një ditë”, tha ai.

Al-Habeel beson se pjesëmarrja masive e të rinjve palestinezë në protesta do të thotë se “ata e shohin të drejtën për t’u kthyer si një çështje të shenjtë e cila nuk do të harrohet dhe nga e cila nuk do të hiqet dorë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu