Kaosi i yjeve në hotelet shqiptare, si ndahet tregu 100 milionë euro

Rritja me 300% e numrit të turistëve të huaj që vizituan Shqipërinë në dekadën e fundit i bën atraktive investimet në hotele, por për shkak të rrethanave të tregut aktualisht, kthimi i investimeve në shërbimet e akomodimit mbetet një sfidë. Destabiliteti politik, mungesa e standardizimit dhe informaliteti i lartë, po e pengojnë industrinë e hotelerisë të ndajë fitimet që i takojnë. Për këtë arsye, hotelet luksoze shqiptare në Tiranë shesin të paktën 30% më lirë se në rajon dhe 60% më lirë se në Europë, teksa kapacitetet akomoduese shfrytëzohen përgjysmë dhe në rastin më të mirë 70%. Në hijen e këtyre zhvillimeve, tregu i hotelerisë në Tiranë ka hyrë në një fazë të vrullshme zhvillimi dhe emra ndërkombëtare.

Kaosi i yjeve

Investimet në shërbimet e akomodimit të luksit në Tiranë me katër dhe pesë yje nuk ta kthejnë mundin për shkak të informalitetit të lartë, mungesës së standardeve dhe së fundmi…

Pas hyrjes në treg të Plaza Tirana në vitin 2016 me pesë yje, vitin e kaluar nisi ofrimin e shërbimit grupi Hilton, nëpërmjet linjës Garden Inn me katër yje, kurse Mak Albania (ish-Sheraton), ka nënshkruar tashmë një kontratë menaxhimi me markën ndërkombëtare të hotelerisë së luksit Hyatt, në nivelin e pesë yjeve. Kulla e re tek stadiumi Dinamo pritet të operohet nga Marriott sipas një marrëveshje të nënshkruar me kompaninë Albstar.

Gjithashtu Hotel Tirana, brenda një periudhë 6-vjeçare, do të operojë hotelin e ri me 5 yje, i cili tani është në fazën e ndërtimit. Gjatë pesë viteve në vijim, kapacitetet akomoduese në hotelet me pesë yje do të dyfishohen. Ndërkohë, në sfond të investimeve të mëdha, informaliteti është duke lulëzuar në hostele brenda pallateve dhe që shiten në booking dhe Expedia si hotele me standard.

Behar Male, një nga aksionerët kryesorë të Plaza Tirana, tha se, Shqipëria është para një perspektive pozitive nga prurjet turistike, por tregu duhet të rregullohet në aspekt të standardit. Ofrimi i shërbimeve në akomodimin e luksit duhet të funksionojë sipas standardeve ndërkombëtare të yjeve. Kjo do të ndihmonte që imazhi i vendit të mos cenohej dhe tregu të rregullohej nga informaliteti, tha zoti Male. Ai nuk e sheh si shqetësim zgjerimin e tregut me operatorë të rinj dhe sidomos me marka të njohura ndërkombëtare, pasi ato ndihmojnë që tregu të përmirësohet në drejtim të standardeve dhe kjo do të ishte një shtysë për rritje të mëtejshme të vizitorëve.

Të njëjtat pikëpamje ndan pak a shumë edhe aksioneri i Hotel Tirana, Ramë Geci, i cili tha se linja e shërbimeve të hotelerisë në grupin Geci ka pasur ecuri të qëndrueshme për sa u përket të ardhurave. Geci, i cili po investon në linjë me pesë yje në emrin e Hotel Tiranës, thotë se, numri i vizitorëve në Tiranë po rritet me ritme të shpejta. Shumë prej tyre kërkojnë akomodim me pesë yje, tha ai. Geci pohon se, investimi në hotel nuk ka kthim të shpejtë, por më shumë qëndrueshmëri dhe vlerë më të shtuar për ekonominë.

Hotelet në Shqipëri, 60% më lirë se Europa, 30% më lirë se rajoni

Në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, akomodimi i një personi për një natë, në një hotel me katër yje, kushton 80-95 euro aktualisht, ndërsa në qytetet turistike të Budvës dhe Kotorrit një natë, në një hotel me katër yje kushton 110 – 150 euro, sipas çmimeve në agjencinë e shitjeve online Booking.com. Në Vjenë, një natë kushton nga 140 euro deri në 200 euro në standardin me katër yje. Në Tiranë, aktualisht në hotelet me katër yje, një natë kushton 70-80 euro, ndërsa në hotelet me 5 yje, nga 90-140 euro/nata.

Operatorët kryesorë të tregut në Tiranë pohojnë se kjo situatë vjen për shkak të mungesës së standardizimit. Njësitë hoteliere i kanë vënë yjet sipas qejfit, pa marrë në konsideratë kushtet që nënkuptojnë yjet. Këto njësi shesin me çmime të lira në agjencitë online, duke ulur artificialisht vlerën e shitjes për njësitë serioze që ofrojnë në të vërtetë standardin me yje. Shitja e dhomave poshtë standardit që ofrojnë i ka bërë investimet në hoteleri jo eficiente.

Të gjitha qeveritë, ndër vite, teorikisht janë angazhuar të vendosin yjet në hotelet shqiptare sipas standardeve ndërkombëtare, por duke qenë se shumica e njësive akomoduese nuk i përmbushin standardet, qeveritë janë treguar të brishta të bëjnë reformën. Për shkak të informalitetit të lartë dhe rrëmujës së yjeve, hotelet e luksit në Tiranë shesin shpesh në fashën e tre yjeve. Çmimet e ulëta të shitjes dhe interesat e larta të kredive në banka i bëjnë jofisbël investimet në Tiranë.

Menaxherët e tregut pohojnë se investimet në hotelerinë e luksit do të kenë mbi kapacitete dhe do të shtrembërojnë konkurrencën nëse Investimet e Huaja Direkte nuk ecin me të njëjtin ritëm. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet që strehojnë menaxherët. Vërehet se është rritur kërkesa për grupet e turizmit. Tirana është tashmë pjesë e tureve ballkanike të shumë agjencive globale, ndërkohë që pasiguria në Turqi po sjell një ofertë turistike në rritje, nga e cila mund të përfitojnë edhe hotelet luksoze të Tiranës.

Hotelet e luksit, gara e vështirë për 21 milionë euro

Në vitin 2017, të katër hotelet e mëdha në kryeqytet, The Plaza, Hotel Rogner, Mak Albania dhe Hotel Tirana, realizon të ardhura nga shitjet në rreth 2,6 miliardë lekë (21 mln euro) sipas të dhënave nga bilancet që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat më të larta i realizoi The Plaza, e cila deklaroi xhiro vjetore në bilanc në nivelin e 753 milionë lekëve gjatë vitit 2017.

Të ardhurat e kompanisë u rritën me 153% në krahasim me vitin 2016. Rritja e lartë nuk është e krahasueshme për shkak se The Plaza e nisi aktivitetin nga fundi i vitit 2016. Burimet nga kompania pohuan se të ardhurat ishin në nivele të ngjashme edhe në vitin 2018. Ajo fillimisht u nis për të funksionuar si një qendër biznesi, por drejtimi ndryshoi rrugës kur investimi po bëhej. Me 190 dhoma dhe suita të shpërndara në 23 katet e godinës, Hotel Plaza e ka rritur ofertën për shërbime luksi me 30% në vitin 2016.

Gjithashtu Mak Albania (ish-Sheraton) realizoi të ardhura në nivelin e 527 milionë lekëve në vitin 2017, me një rritje 16% se në vitin 2016. Marka Sheraton u largua nga Shqipëria vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2017. Në fillim të 2018-s, aktiviteti i hotelit u ble nga grupi Kastrati, të cilët kanë kontraktuar për menaxhimin e tij markën ndërkombëtare të hotelerisë Hyatt. Burimet nga kompania pohuan se aktualisht, godina është një proces investimesh për të plotësuar standardet që kërkon Hyatt.

Golden Eagle, që operon në Tiranë si hotel Rogner, raportoi 642,6 milionë lekë të ardhura në vitin 2017, me një rritje 7.6% të ardhurash në raport me vitin 2016. Ndërsa hotel Tirana, sipas burimeve nga kompania, realizoi një xhiro vjetore rreth 6 milionë euro, me një rritje vjetore rreth 5%.

Gjatë vitit 2018, oferta për shërbime hotelerie luksi në Tiranë u rrit me 20% pas hyrjes në treg të Hotel Hilton me 141 dhomat e saj. Aktualisht, të 5 hotelet e luksit në Tiranë ofrojnë 780 dhoma. Në periudhë afatmesme, tregu do të zgjerohet me ritme edhe më të shpejta se sa kërkesa për shërbimet e luksit.

Destabiliteti politik ul me 10% rezervimet

Situata politike jo stabël dhe zgjedhjet lokale e kanë ndikuar negativisht industrinë e hoteleve në Tiranë këtë vit. Menaxherët e hoteleve kryesore në Tiranë pohuan se rezervimet këtë vit janë ulur të paktën me 10%, për shkak të ngjarjeve të brendshme, me protesta të dhunshme. Reagimi i policisë me gaz lotsjellës në disa raste u ka krijuar probleme bujtësve në disa hotele në Tiranë.

Shqipëria është një vend në zhvillim dhe e fundit në Europë, ende e paeksploruar. Potencialet për thithjen e turistëve të huaj janë të mëdha, por ngjarjet e dhunshme prej mungesës së stabilitetit politik po i krijojnë minus të madh imazhit të vendit, i cili kishte nisur të përmirësohej vitet e fundit prej vlerësimeve me superlativa të mediave ndërkombëtare. Në fund të vitit 2018 dhe këtë vit, opozita ka zhvilluar 9 protesta të mëdha në Tiranë, shumica e të cilave kanë pasur konfrontime me policinë ku është përdorur gazi lotsjellës pa kriter, duke krijuar dëme edhe te njerëzit e zakonshëm që ndodheshin në hotelet në qendër të Tiranës.

Mungesa e standardeve bën kaos në treg

Shërbimi i hotelerisë është padyshim një nga më informalët në vend. Me gjithë aksionet në terren dhe strategjitë antiinformalitet, vijon të mbetet e tillë. Tirana është plot me hotele brenda pallateve që jo vetëm nuk janë të regjistruara, por kanë guxuar të vënë edhe yje. Për Ramë Gecin, aksioneri i vetëm i Hotel Tirana, kjo është shqetësuese.

Kjo gjë prish tregun dhe krijon një emër të keq për shërbimet. Duke shfrytëzuar rezervimet online, këto struktura akomodimi joshin shumë nga klientët e huaj, të cilët pasi i provojnë, ikin të tmerruar nga Shqipëria, duke lënë një shije të hidhur pas dhe duke dëmtuar në këtë mënyrë edhe operatorët seriozë të fushës.

Menaxherët e hoteleve të mëdha kërkojnë që qeveria të vendosë standardet e yjëzimit në mënyrë që klientët të jenë të qartë për ata që zgjedhin. Është absurde, sipas tyre, që në mes të Tiranës, brenda një pallati, të përdoren dy-tre kate për hotel dhe të vihen tre-katër yje.

Lehtësi për 5 yjet, rrezikojnë mbiinvestime

Nisma e qeverisë për të nxitur investimet në ndërtimin e hoteleve me 5 yje, ndonëse e pasqaruar mirë, po rrezikon të krijojë një mbiofertë në shërbimet për akomodim luksoz, në paradoks me kërkesën pushuesve të huaj që parapëlqejnë shërbime me 3 yje. Ndryshimet në ligjin për turizmin në muajin dhjetor (ligji nr. 114/2017) përcaktojnë se përjashtimin nga taksat TVSH dhe Tatim-Fitimin për dhjetë vitet e para të aktivitetit e përfitojnë strukturat akomoduese me 4-5 yje dhe që duhet të investojnë të paktën 8 milionë euro për standardin me 4 yje dhe 15 milionë euro për standardin me 5 yje. Ligji 114/2017 thotë gjithashtu se përfitues janë hotelet me 4-5 yje që kanë status special. Statusi special përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”.

Orientimi “qorrazi” i investimeve në hotelet luksoze, përveçse nuk po shoqërohet me infrastrukturën mbështetëse, rrezikon të deformojë konkurrencën në treg, për shkak se hotelet ekzistuese nuk përfitojnë dhe t’i bëjë joeficiente investimet në të ardhmen. Sipas statistikave zyrtare, numri i turistëve të huaj që vizituan vendin për qëllime pushimi gjatë viteve 2008 me 2018 është rritur me 300%. Në vitin 2018 vendin e vizituan rreth 5,9 milionë turistë me një rritje 16% në raport me një vit më parë.

Gjithashtu, numri i të huajve që e vizituan Shqipërinë për punë dhe biznes ishte i lartë, me një rritje prej 27% në raport me vitin 2017.

Nuk ka punonjës, hotelet nën presionin e pagave më të larta

Sektori i akomodimit në të gjithë vendin, por edhe në Tiranë është duke ndeshur në vështirësi për punonjës. Emigrimi i lartë i të rinjve e ka vënë në vështirësi sektorin, teksa disa nga menaxherët kryesore pohojnë faktin se kjo është vështirësia më e madhe më të cilat po përballen aktualisht. Sipas të dhënave të INSTAT paga mesatare në sektorin e akomodimit gjatë vitit 2017 ishte 23 mijë lekë në muaj.

Kjo pagë është sa 50% e pagës mesatare në shkallë vendi. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një analizë risku e vlerësoi sektorin e shërbimeve të restoranteve dhe akomodimit me informalitetin më të lartë në vend. Informaliteti është edhe në punësim dhe në paga. Përgjithësisht hotelet në bregdet dhe shume prej tyre edhe në Tiranë nuk i deklarojnë të gjithë punonjësit, teksa pagat zyrtare i deklarojnë në nivele minimale.

Por për shkak të emigracionit të lartë dhe pagave të ulëta hotelet janë në krizë për punonjës sidomos në zonat turistike me distancë nga Tirana.

Para pak vitesh, sektori i hotelerisë kishte rezerva të mëdha në lidhje me mungesën e stafeve të kualifikuara, por aktualisht pretendimet e tyre kanë rënë. Mjaft të kenë njerëz se trajtimin e marrin përsipër vetë.

Edhe në zonat malore turistike të Valbonës, mungesa e punonjësve ka nisur t’i pengojë bizneset për zgjerim të mëtejshëm. Administratorët e bujtinave atje pohojnë se po përballojnë me sforco shërbimin, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Të rinjtë e zonës janë shndërruar në punonjës sezonalë për vendet e BE-së, duke mos preferuar të punojnë për një pagë mujore 20 mijë lekëshe në hotelet e zonës. Marrja e punonjësve nga qytete të tjera është e papërballueshme teksa, shërbimet mbulohen vetëm me familjarët e bujtinave, të cilët çalojnë në shërbim.

Kjo mungesë në fuqinë punëtore është bërë shkak për rritjen e pagave në sektor. Menaxherët në hotelet e Shëngjinit dhe Durrësit kanë aplikuar rritje të konsiderueshme pagash këtë vit për punonjësit e shërbimit. Rritja e pagave po vjen si presion i mungesës së punonjësve të cilët fitojnë në emigrim për tre muaj aq sa fitojnë 12 muaj me pagë kamerieri në Shqipëri. Administratorët e hoteleve pohojnë se ka vend për rritjen e pagave, teksa theksuan se burimet njerëzore po shndërrohen në sfidë për aktivitetin. Sokol Hoxha nga Shkodra Travel, i cili menaxhon disa hotele në zonën e Golemit në Durrës thotë se ata i kanë rritur pagat me 30-40% dy vitet e fundit për të tërhequr punonjës dhe për të reduktuar lëvizjet e personelit.

Biletat e shtrenjta ajrore frenojnë turistët

Hotelet në Tiranë do të shihnin ditë më të mbara nëse çmimet e biletave të udhëtimit me avion do të ishin më të lira. Menaxherët e hoteleve në Tiranë pohojnë se biletat e avionit ju kushton të huajve që vijnë në Shqipëri gati tre herë më shtrenjtë se çmimi i hotelit, ndërsa ndodh e kundërta në vendet e tjera. Zhvillimi i industrisë ajrore vitet e fundit po siguron gjithnjë e më shumë çmime të lira për të udhëtuar me avion. Për udhëtimet brenda Europës, po edhe në rajon, çmimi i biletës së avionit peshon më pak se ajo e hotelit, përveçse në Shqipëri. Menaxherët mendojnë se, çmonopolizimi i udhëtimeve nga Rinasi me vënien në funksion të aeroporteve të tjera mund të nxisë udhëtimet drejt Shqipërisë.

Hotelet, tregu zyrtar 100 milionë euro

Sipas të dhënave të INSTAT, sektori i akomodimit realizoi 13.3 miliardë lekë shitje në vitin 2017, ose rreth 100 milionë euro me kursin e këmbimit të kohës. Të ardhurat nga shitjet të sektorit të akomodimit janë trefishuar nga viti 2010, ku me të dhëna zyrtare, sektori akomodimit xhiroi 4.2 miliardë lekë për të arritur në 13.3 miliardë lekë në fund të vitit 2017. Në 7 vitet e fundit, sektori i akomodimit në vend ka rritur të ardhurat në nivele dyshifrore, kurse në vitin 2017 ato u rritën me 56.8%.

Numri i punonjësve në sektor është dyshuar gjatë 7 viteve. Sipas INSTAT, në vitin 2017, numëroheshin 7813 punonjës në sektorin e hotelerisë në të gjithë vendin, nga 3180 të tillë në vitin 2010. Gjithashtu, numri i bizneseve që operojnë në treg si hotele është zgjeruar. Në vitin 2017, në qendrën kombëtare të biznesit, ishin të regjistruara 1286 njësi hoteliere nga 736 të tilla në vitin 2010.

Në vitin 2017, fitimet e të gjithë sektorit ishin 825 milionë lekë pas një humbje prej 218 milionë lekësh të raportuar në vitin 2016. Sipas të dhënave zyrtare, investimet në sektorin e akomodimit ishin 12 miliardë lekë nga viti 2010-2017. Duke marrë në konsideratë fitimet e sektorit më 2017, kthimi i investimeve në dhjetë vitet e fundit do të kryhet për një periudhë jo më pak se 15-vjeçare.

Vizitorët e huaj në rritje

Turizmi shihet si shtysa kryesore për lulëzimin e hoteleve të luksit në Shqipëri, edhe pjesa e dërrmuese e tyre kërkojnë të pushojnë në nivelin me tre yje. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në pikat kufitare, për vitin 2018, janë rritur me 15,8%, duke arritur në 5.9 milionë persona. Hyrjet e shtetasve të huaj nga rajoni i Europës, zënë peshën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj gjithsej, me 90,0%. Europa Jugore zë përqindjen më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj, me 80,7% të hyrjeve gjithsej nga Europa. Hyrjet nga Kosova zënë 39,2% të hyrjeve të Europës Jugore, të ndjekura nga Maqedonia me 12,8% dhe Mali i Zi me 6,7%. Hyrjet e shtetasve të huaj nga rajonet e tjera, zënë 10,0% të hyrjeve të shtetasve të huaj gjithsej.

Infrastruktura publike nuk i mbështet hotelet me 5 yje

Nëse një turist i pasur zgjedh Shqipërinë për pushime luksi, do të zhgënjehet pa mbërritur ende në hotel, sidomos nëse e ka zgjedhur Jugun e vendit. Zakonisht, në muajt korrik dhe gusht duhen më shumë se 6 orë udhëtim nga Tirana ose Rinasi, në një trafik të tmerrshëm nëpër qytetet e Fierit dhe Vlorës. Përgjatë rrugëve zakonisht të pista, ka shumë pluhur dhe pamja deri në portat e hotelit e nevrikos edhe një shqiptar të zakonshëm.

Plazhet shqiptare nga Jugu në Veri kanë probleme të mprehta në infrastrukturë. Rrugët me standarde mungojnë ende, nuk ka kanalizime të ujërave të zeza dhe mungon furnizimi i rregullt me ujë dhe energji. Ambienti përqark hoteleve me 5 yje në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, ndaj në këto kushte është vështirë që turistët e pasur të Europës të joshen për të kaluar pushime në hotelet luksoze të Shqipërisë. Vitin e kaluar, vendin tonë e vizituan 153 mijë turistë polakë, sipas INSTAT. Menaxherët në Durrës pohon se kërkesa nga çekët dhe polakët nuk do të zgjasë shumë, për shkak të mungesave thelbësore që ka ende infrastruktura turistike e Durrësit. Në katër muajt e parë të 2019-s, hyrjet e polakëve ranë me 4.2%.

Bashkitë, sidomos në zonat turistike, nuk ofrojnë asnjë shërbim për pastrimin në plazhe, as kosha nuk ka. Dritat ikin herë pas here dhe problemi i ujit nuk ka marrë zgjidhje në zonat kryesore. Në këto kushte, mendoj se kërkesa nga Europa Perëndimore do të zgjasë derisa shumica e tyre ta provojnë Shqipërinë, pohojnë menaxherët

Shtetet e tjera të Mesdheut si Greqia, Kroacia, Turqia, Spanja kanë vendosur të zhvillojnë industrinë e tyre të turizmit, – fillimisht kanë kryer investime në infrastrukturën publike. Në mes të viteve ’80, Turqia vendosi të zhvillojë turizmin si sektor në nivelin e një industrie mbi të cilën do të mbështetej rritja e ekonomisë së vendit në të ardhmen.

Turqia ka 30 aeroporte që ofrojnë fluturime ndërkombëtare, duke lidhur destinacione të tjera me rreth 200 vende të botës, teksa ka lidhur resorte me infrastrukturë të re rrugore. Të ardhurat mesatare në një vit nga turizmi janë mbi 23 miliardë dollarë, ndërsa në strategjinë për zhvillimin e sektorit deri më 2023, synohet që të ardhurat nga turizmi në ekonominë kombëtare të Turqisë të arrijnë në 53 miliardë dollarë në vit. Turqia synon të jetë e para në botë për peshën në industrinë e turizmit dhe njëkohësisht nëpërmjet turizmit ka nxitur edhe ekonominë e shkallës.

Modeli që i përshtatet Shqipërisë

Zak Topuzi nga Shoqata hotelierëve thotë se Tirana ka nevojë për hotele B&B (fjetje dhe mëngjes) që të mundësojnë akomodimin e turistëve. Ai paralajmëron se, në rast se hotelet që do të ndërtohen në Tiranë, do të jenë përsëri të kategorisë me 5 yje, do të jetë një dështim. Sot tregu është i çorientuar, pohon ai. Grupet turistike akomodohen në Durrës-Golem, pasi kanë çmime të ulura jashtë sezonit.

Ndërsa hotelet me 4-5 yje po e ndiejnë mungesën e klientelës dhe kanë ulur çmimet. “Nëse kërkon në booking.com, hotelet me 5 yje japin oferta me çmime të hoteleve të vogla me 4-5 yje”.

Tirana ka potencial për të zhvilluar turizmin e kongreseve. “Ka qenë kërkesë e industrisë që Tirana të ketë një Qendër Kongresesh, pra për të pasur mundësi tërheqjen e fondeve të mëdha për këto organizime. Pallati i Kongreseve është një mundësi që me pak investime mund ta kryejë këtë funksion dhe sigurisht do të duhen një zinxhir hotelesh. Për një kryeqytet është aset të plotësosh standardet për këto lloj aktivitetesh.

Sigurisht duhet të vazhdohet paralelisht të ngresh produkte turistike, që Tiranën ta kthesh në një qytet me 365 ditë turizëm”. Ai sjell shembullin e Korçës, që ka krijuar një potencial turistik me shumëllojshmëri produktesh, por ka mbetur prapa me standardet e mungesën e shtretërve të akomodimit, teksa ish-hotel Turizmi është në gjendje të mjerueshme.

Topuzi rekomandon që do të duhej një hotel me të paktën 150-200 shtretër cilësorë me 3 yje për të tërhequr grupet turistike nga vendi, por edhe rajoni. Kryesisht në fundjavë, gjatë gjithë vitit, nuk gjen hotel. Ulja e TVSH-së së turizmit në 6% është një mundësi që industria të ketë çmime konkurruese.

15-fishohet sipërfaqja e lejeve për hotele të reja më 2019

286 mijë metra katrorë është sipërfaqja e lejeve të dhëna për hotele vetëm për tremujorin e parë të vitit 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë tre muajve të parë të vitit janë dhënë 28 leje ndërtimi. Ndonëse si numër lejesh rritja ka qenë modeste, 28 nga 25 leje që ishin tremujorin e një viti më parë, sipërfaqja e ndërtimit është 15-fishuar në raport me një vit më parë. Sipërfaqja mesatare për një leje të dhënë për hotel përllogaritet të jetë 10 mijë metra katrorë, kjo do të thotë që një pjesë e këtyre lejeve janë dhënë për struktura me kapacitetet të larta akomoduese.

Prej vitit 2016 është rritur interesi për të ndërtuar në sektorin e hotelerisë në vend, me një rritje të shpejtë të numrit të lejeve të dhëna sikurse tregojnë edhe shifrat e INSTAT. Në total, për vitin 2016, u dhanë 11 leje ndërtimi, ndërsa në vitet në vijim, 2017 dhe 2018, u dhanë përkatësisht 53 dhe 75 leje. Ritmi i rritjes ka vijuar edhe gjatë 2019-s, sikurse tregojnë të dhënat paraprake, ku vetëm sipërfaqja e dhënë në tre muajt e parë është sa dyfishi i sipërfaqes së dhënë gjatë gjithë viti të kaluar./Monitor


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu