Kaosi kaplon Tetoven për fundvit

Si pasojë e mosrespektimit të rregullave në komunikacion, mungesës së parkingjeve, shenjave, dhe mbingarkimit të komunikacionit në këtë periudhë, nëpër rrugët e Tetovës janë të shpeshta edhe aksidentet – në disa raste me pasoja edhe më të rënda.

Komunikacioni në rrugët e Tetovës gjithnjë e më tepër po stërngarkohet, ndërsa qytetarët ankohen për kaosin në trafik të shkaktuar nga numri i madh i automjeteve që qarkullojnë në rrugët e qytetit, të cilat përveç kaosit – shkaktojnë edhe ndotje të ajrit nga gazrat që lëshojnë, shkruan gazeta KOHA. Ndër rrugët më të ngarkuara është bulevardi “Iliria”, “Rruga Industriale” dhe rruga që shpie për të tregu i gjelbërt, ku brenda ditës regjistrohet frekuentim jashtëzakonisht i madh i automjeteve.

Qytetarët, të revoltuar nga kjo gjendje e krijuar, sidomos tani në këtë periudhë kur edhe mërgimtarët janë në vendlindje për të festuar festat e fundvitit pranë familjeve të tyre, apelojnë deri të institucionet kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme në drejtim të zgjidhjes së këtij kaosi në komunikacion dhe të vendoset rend për shkak se veturat e shumta, të cilat vozitësit në mungesë të parkingjeve të mjaftueshme i parkojnë vend e pa vend, kanë krijuar një tollovi dhe radhë të gjata pritjeje. Qytetarët për çdo ditë po përballen me sfidën për të gjetur një vendparkim, qoftë edhe për pak minuta, prandaj detyrohen të parkohen në rrugë.

Në ndërkohë, nga Policia e Tetovës thonë se janë marrë masa shtesë për mbarëvajtje të komunikacionit. Sipas policisë, kryesisht masat janë marrë në pjesën qendrore të qytetit të mos ketë ngecje në komunikacion.

“Si çdo fundvit, edhe këtë herë kemi rritje të frekuentimit të automjeteve që qarkullojnë në pjesët qendrore të qytetit të Tetovës. Rritja e numrit të automjeteve është për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje dhe ne si stacion për siguri në komunikacionin rrugor, kemi marrë masa shtesë me patrullime më të shpeshtuara në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës. Po ashtu, edhe në rrugët jashtë vendbanimeve kemi shtuar patrullat policore, por prioritet i është dhënë pjesës qendrore që të mos ketë ngecje dhe të ketë një siguri më të madhe në komunikacion”, deklaroi për gazetën Koha, Besir Qamili, zëvendës-komandant për siguri në komunikacionin rrugor. Ai ka njoftuar se gjatë natës së ndërrimit të motmoteve, do të ketë më shumë pjesëtarë të policisë që do të kujdesen për mbarëvajtjen e komunikacionit, ndërsa ka apeluar që drejtuesit e automjeteve të mos drejtojnë të njëjtat nën ndikim të alkoolit.

Si pasojë e mosrespektimit të rregullave në komunikacion, mungesës së parkingjeve, shenjave, dhe mbingarkimit të komunikacionit në këtë periudhë, nëpër rrugët e Tetovës janë të shpeshta edhe aksidentet – në disa raste me pasoja edhe më të rënda. Vozitësve u sugjerohet ti respektojnë shenjat e komunikacionit, të mos vozisin në gjendje të dehur, si dhe të kenë përgatitje dimërore nëse udhëtojnë drejtë Kodrës së Diellit, Strazhës dhe Mavrovës. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë edhe një herë apelon tek qytetarët që sa më pak të frekuentojnë me vetura në pjesët qendrore të qytetit. Në ndërkohë, kjo situatë tashmë është vite me radhë, kur dihet se Tetova ka mungesë të parkingjeve, ndërsa është rritur dukshëm numri i automjeteve. Në anën tjetër, gjatë stinës së dimrit, në Tetovë, kur edhe kthehen mërgimtarët – numri i automjeteve që frekuentojnë rrugët e Tetovës kalon shifrën prej 40 mijë automjete, të cilat krijojnë një kaos të vërtetë dhe pamundësojnë qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu