Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ka deklaruar se Policia e Kosovës në Zubin Potok ka sekuestruar armë dhe pajisje të ndryshme, përcjell TV21. Sveçla thotë se janë bastisur gjashtë lokacione, ndërsa janë gjetur dhe konfiskuar armatim i llojeve të ndryshme, radiolidhje, granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion.
“Provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend”, ka theksuar ministri.
Ai ka bërë të ditur se institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe të Kosovës.
“Rendi, ligji dhe siguria në Republikën e Kosovës mbeten prioritet institucional. Çdo veprim që rrezikon këto parime do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis”, shkruan Sveçla.










