Bashkëkryetar i VLEN-it, Bilall Kasami nuk tregoi qartë nëse do ta mbështesin në raundin e dytë kandidatin e AKI-së për kryetar të Bërvenicës, Arkin Jahiji, përcjell TV21. Kasami tha se mbështetja e VLEN-it për AKI-në varet nga sjellja e BDI-së, respektivisht e AKI-së.
“BDI doli triumfuese edhe pse nuk i fitoi zgjedhjet, pra nuk shkoi si fituese në raundin e dytë. Ne sigurisht që jemi deklaruar pro, por angazhimi ynë varet nga mënyra se si do të sillet BDI në gjithë këtë periudhë. Nëse BDI do të vazhdojë ta bëjë fushatën si BDI, apo qoftë si AKI, dhe fushata të jetë kundër VLEN-it, në këtë rast ata duhet të sqarohen me vetveten. Kjo sepse, ndryshe nga para një viti e ca, kur kandidati i VLEN-it i largoi të gjitha simbolet politike dhe partiake dhe kërkoi votën si shqiptar, kjo nuk po ndodh tani. Për më tepër, deklarimet e zyrtarëve të lartë të AKI-së dhe BDI-së janë se ata e kanë fituar VLEN-in. Pra, nëse edhe më tutje qëllimi i tyre nuk është të fitojnë Bërvenicën, por të dalin fitues ndaj VLEN-it, atëherë ata me vetëdije po bëjnë një fushatë për ta humbur Bërvenicën. Këtu ne kërkojmë nga ata që të jenë të kujdesshëm. Nëse duan dhe besojnë se kanë një kandidat më të mirë për ta udhëhequr Bërvenicën, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike, atëherë le të bëjnë një fushatë të tillë. Nëse duan të tregojnë se e kanë fituar VLEN-in dhe se në raundin e dytë do ta fitojnë VLEN-in, atëherë ata do ta humbin komunën. Pra, përgjegjësia për fitoren dhe humbjen e komunës është e tyre. Ne këtë ua kemi thënë që në raundin e parë. Ne mund t’i përkrahim, por nuk mund ta sigurojmë fitoren në raundin e dytë, sepse kandidati është i tyre”, tha Kasami.
Kujtojmë se kundërkandidat i Jahijit është Stojanço Radiçevski, nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.










