Katër familjarë iu vranë në tetor, sot humbi djalin, gazetari i Al Jazeera shpërthen në lot: Ishte shpirt i shpirtit tim

Djali i madh i shefit të zyrës së Al Jazeera-s në Gaza është vrarë në një sulm izraelit në Gazën jugore. Hamza al-Dahdouh, një gazetar dhe kameraman i rrjetit Al Jazeera, ishte me gazetarë të tjerë në një rrugë midis Khan Younis dhe Rafah kur u goditën nga një dron.

BBC shkruan se gjatë sulmit u vra edhe gazetari i pavarur Mustafa Thuraya.

Katër anëtarë të tjerë të familjes së shefit të byrosë Wael al-Dahdouh u vranë gjithashtu në tetor.

Gruaja e tij Amna, nipi i tij Adam, djali i tij 15-vjeçar Mahmoud dhe vajza shtatë-vjeçare Sham vdiqën të gjithë në një sulm izraelit.

Sipas Hisham Zaqout, një korrespondent i Al Jazeera-s, Hamza dhe një grup gazetarësh ishin rrugës për në zonën Moraj në verilindje të Rafahut, e cila u caktua një “zonë humanitare” nga ushtria izraelite, por që thuhet se kishte përjetuar bombardime gjatë kohës së fundit.

Hamza do të raportonte mbi situatën e zhvilluar dhe pasojat e bombardimeve në zonë, sipas Al Jazeera.

Pamjet e drejtpërdrejta nga Al Jazeera treguan pasojat e goditjes në makinën me të cilën po udhëtonin.

Babai i tij Wael al-Dahdouh shpërtheu në lot duke mbajtur dorën e tij dhe duke qëndruar pranë trupit të pajetë në një morg në Khan Younis. Ai u varros në qytetin jugor të Rafah.

“Hamza nuk ishte vetëm një pjesë e imja. Ai ishte gjithçka e imja. Ai ishte shpirti i shpirtit tim. Këto janë lot trishtimi, humbjeje. Këto janë lot njerëzimi”, tha babai i tij në varrim.

“I bëj thirrje botës që të shikojë nga afër se çfarë po ndodh në Gaza” tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu