Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili, deri më tash, ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve, shkruan REL.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Zahir Musa, tha për Radion Evropa e Lirë se katër zyrtarë policorë janë në trajtim mjekësor.
“Për momentin tre persona të lënduar janë në emergjencë me plagë sipërfaqësore kurse një i plagosur me armë zjarri është në Kirurgji dhe shumë shpejtë pritet të transferohet në Gjakovë”, tha Musa.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë se një zyrtar policor është plagosur gjatë operacionit, porse është jashtë rrezikut për jetën.
Të ndaluarit dyshohet se janë të përfshirë në disa vepra penale, përfshirë: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit, tregti e ndaluar e të tjera.
“Përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar që operacioni policor po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.
“Deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës, “përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terrennga ana e disa qytetarëve në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se nga aksioni që po zhvillohet nga Policia e Kosovës, të arrestuar janë katër oficerë doganor dhe shtatë qytetarë.
Ndërkaq, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se strukturat paralele “kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve që po e kundërshtojnë policinë duke vënë barrikada”.
Siç njofton KMDLNJ, “deri më tani me armë zjarri janë plagosur 3 policë shqiptarë), njëri është plagosur prapa shpine (më rëndë dhe gjendet në Kirurgji), tjetri e ka hundën e thyer (është në ORL), kurse tjetri ka gërvishje për faktin se plumbi e ka goditur në kuletë”.
KMDLNj tha se e ka të njohur identitetin e policëve të plagosur.
Në orët e para të mëngjesit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë së vendit. Zyrtarët e kabinetit të presidentit Thaçi kanë konfirmuar se takimi ka përfunduar.
Sipas tyre, operacioni i Policisë së Kosovës, nuk po zhvillohet vetëm në veri të vendit. Aksioni i policisë ka nisur dje në Vërmicë dhe po vazhdon në të gjithë Kosovën.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë që institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ai ka shprehur keqardhjen për plagosjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës në krye të detyrës dhe i ka uruar shërim të shpejtë.
“Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar”, ka shkruar presidenti Thaçi.










