​“Keqpërdorimet me njehsorët elektrik”, ZRRE: Çdo konsumator i prekur do të kompensohet

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se është duke monitoruar vazhdimisht situatën lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.

Sipas ZRRE-së, në bashkëpunim me akterët relevantë do të ndërmerren veprime konkrete për të parandaluar çdo dëm të mundshëm ndaj konsumatorëve dhe për të garantuar një proces të drejtë dhe transparent të matjes së energjisë, raporton KosovaPress.

Institucioni ka bërë të ditur se për rastet e raportuara ka vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke kërkuar zëvendësimin e njehsorëve problematikë si dhe duke ndërmarrë masa për korrigjime financiare bazuar në vlerësime teknike.

ZRRE thekson se në shumicën e rasteve të verifikuara, matja e energjisë ka rezultuar e saktë, ndërsa pasaktësitë lidhen kryesisht me devijimin e kohës tarifore. Megjithatë, sipas tyre, korrigjimet financiare në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë qenë në favor të konsumatorëve.

Po ashtu, ZRRE rikujton se KEDS dhe KESCO janë kompani të rregulluara që operojnë sipas kornizës ligjore dhe rregullative, ndërsa të hyrat e tyre përcaktohen nga vetë ZRRE, duke kufizuar mundësinë e përfitimit nga gabimet eventuale.

“Çdo gabim i mundshëm është i përkohshëm dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht”, thuhet në njoftim, duke shtuar se mosrespektimi i detyrimeve nga operatorët do të trajtohet sipas ligjit.

ZRRE përfundon duke theksuar përkushtimin për transparencë, përgjegjësi dhe trajtim të drejtë të ankesave të konsumatorëve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ditw mw parw ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 30 mijë eurosh ndaj KEDS, pasi janë konstatuar gjashtë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.

Fillimisht Lidhja Demokratike të Kosovës pati realizuar një hulumtimi për energjinë elektrike në Prishtinë dhe Ferizaj ku është rezultuar se “87% e njehsorëve elektrik nuk përkojnë me kohën reale dhe me të shtrenjtën”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu