Kërkohet rinovimi, Mbappe tremb PSG-në

Paris Saint-Germaini dëshiron t’ia rinovojë kontratën Kylian Mbappes, i cili aktualisht ka kontratë vetëm deri në vitin 2022. Mirëpo, lojtari nuk ka shfaqur asnjë shenjë se dëshiron të nënshkruajë kontratë të re me parisienët.

Ylli i talentuar francez është njëri ndër lojtarët më të kërkuar në Evropë, pasi që shumë klube elitare, përfshirë këtu Real Madridin, janë të interesuara ta transferojë atë sapo t’u jepet mundësia.

Megjithatë, PSG-ja nuk dëshiron ta shohë yllin e skuadrës së vet në bisedime me klube të tjera verën e ardhshme. Klubi francez është duke e pasur të vështirë t’i menaxhojë ambiciet e Mbappes. Edhe pse ai është ndër sulmuesit më të talentuar në botë, sjellja e tij në dy ndeshjet e fundit e ka hutuar klubin.

Kundër Nantes dhe Montpellier, 20-vjeçari reagoi keq ndaj vendimit të trajnerit Thomas Tuchel për ta zëvendësuar atë para fundit të ndeshjeve. Veprimet e tij ishin mesazh i qartë për trajnerin dhe bordin, të cilët ia kanë garantuar atij një projekt fitues dhe status ylli në skuadër.

Një faktor i madh në të ardhmen e Mbappes do të jetë ecuria e PSG-së në Ligën e Kampionëve, pasi që Mbappe dëshiron të sigurohet që ai është në një klub që mund ta bëjë atë kandidat për Topin e Artë në të ardhmen e afërt.

PSG-ja e kupton se ai nuk është më djaloshi që e kishte refuzuar Real Madridin për klubin francez para dy vjetëve. Ai tani konsiderohet njëri ndër më të mirët në botë dhe stafi i tij është i vetëdijshëm për këtë gjë.

Drejtori i ri sportiv Leonardo e ka bërë të qartë se ai ka qenë në kontakt me Mbappen për një rinovim kontrate, ndërsa Le Parisien raporton se PSG-ja është e gatshme t’ia ofrojë Mbappes 35 milionë euro në sezon, në një kontratë të vlefshme deri në vitin 2025.

Për momentin, pronarët e klubit francez nga Katari nuk janë të gatshëm ta lejojnë largimin e Mbappes, veçanërisht pasi që situata e Neymarit mbetet ende delikate.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu