Kërkonte vota për Listën Srpska, arrestohet një qytetar në Uglarë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”. Sipas njoftimit të Policisë, më 4 qershor rreth orës 19:30 janë pranuar informacione se një person ishte përfshirë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me procesin zgjedhor.

Bazuar në hetimet zyrtare, i dyshuari, i nacionalitetit serb, dyshohet se ka ftuar qytetarë në një lokal në fshatin Uglarë të Graçanicës për t’i udhëzuar se si të votojnë për subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatët e saj.

Sipas dyshimeve të policisë, qytetarëve u ishte premtuar se, në këmbim të votës së tyre, do të përfitonin pensione sociale nga shteti i Serbisë.

Njësitë relevante policore kanë kryer kontroll në lokalin ku dyshohet se janë zhvilluar aktivitetet, si dhe në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmi që lidhen me rastin.

Personi i dyshuar është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, duke garantuar transparencë dhe profesionalizëm në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

Njëkohësisht, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve dhe të raportojnë çdo veprim të kundërligjshëm që lidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu