KFOR-i me forca shtesë në veri të Kosovës

Kreu i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ferenc Kajári, ka njoftuar autoritetet në Kosovë për përgatitjet dhe angazhimet shtesë të këtij misioni, me qëllim që të garantohet paqja dhe siguria në veri të vendit.

Ai u takua më 24 gusht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrin e Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kurtit, kreu i ekzekutivit kosovar ka shprehur zotimin e Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë për koordinim me KFOR-in lidhur me “garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë”.

“Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla falënderuan gjeneralmajor Kajárin për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht javëve të fundit”, thuhet në njoftim.

KFOR, që ka afër 4.000 ushtarë në Kosovë, kohëve të fundit ka rritur prezencën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas rritjes së tensioneve.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s gjenden në Kosovë që nga viti 1999 dhe misioni i tyre buron nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Pasi serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, KFOR tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti.

Komente të njëjta kishte bërë edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimeve të ndara në Bruksel më 17 gusht me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu