Kishte edhe dy vjet mandat, por Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të shkarkojë avokatin Stafa

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancë ka vendosur të shkarkojë Avokatin e Shtetit Fehmi Stafa, raporton Alsat. Ai u emërua në këtë post prej 22 gushtit të vitit 2018, ndërsa mandati i tij gjashtëvjeçar duhej t’i përfundojë në vitin 2024.

Ai është nga Shkupi, i diplomuar në Universitetin e Tetovës, ndërsa magjistraturën në Universitetin FON në Shkup. Prej vitit 2005 deri në vitin 2009 ka punuar në Gjykatën Themelore Shkup 2, për të vazhduar punën në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë. Në periudhën 2010-2018 ka punuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1.

“Unë, avokati i shtetit të RMV-së, Fehmi Stafa jap dorëheqje të parevokueshme për shkaqe personale. Kërkoj të pranohet dorëheqja ime në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”, qëndron në dorëheqjen e Stafës, sqarojnë nga Avokatura e shtetit.

Në seancën e sotme qeveritare është emëruar edhe udhëheqësi i ri i Policisë Financiare, Goran Ivanov. Ai do të pasojë ish drejtorin Arafat Muaremi, i cili dha dorëheqje një javë më parë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu