Klinika Infektive pa kushte themelore, Filipçe premton se problemi do të zgjidhet

Klinika Infektive në Shkup edhe më tej nuk i plotëson kushtet themelore për higjienën personale, sepse në këtë klinikë mungon uji i ngrohtë. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, edhe pse premtoi se Klinika Infektive do të pajiset me sistem solar për ngrohje, edhe pas tre vitesh të udhëheqjes me këtë dikaster, situata mbetet e njëjtë. Por, ky problem, i njëjti premton se do të zgjidhet.

“Kemi mbajtur disa takime dhe ka një plan që do të fillojë të zbatohet shumë shpejt, do të sigurohen panele, me çka të kemi ngrohje në klinikë, si ujë të ngrohtë për banjat dhe tualetet, por edhe ujë të nxehtë për sistemin e ngrohje qendrore. Ky është një sistem për efikasitet energjetik të cilin duam ta implementojmë në më shumë spitale, në më shumë shtëpi shëndetësore, aty ku vërtet ka nevojë. Një plan që nënkupton forcimin e të gjitha kapaciteteve, aty ku është më kritike për momentin, që të mos i lëmë pacientët pa kushtet e duhura.”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndërkohë, një pjesë e pacientëve ujin për dush e ngrohin me aparate elektrike për kafe ose xhezve. Për këtë situatë është fajtore qeveria e kaluar, thotë Filipçe, i cili para se të ulet në karrigen ministrore, ishte këshilltar i paraardhësit të tij nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov.

Ndërkohë që zyrtarët dhe partitë ia hedhin fajin njëra-tjetrës, qytetarët ende po trajtohen në sistemin shëndetësor që përfshin spitalet me kushte nën standarde dhe ata luten të jenë të shëndetshëm, që të mos trokasin kurrë në dyert e këtyre spitaleve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu