Koalicioni fitues në Mal të Zi nis shkeljet e syrit ndaj Rusisë dhe Serbisë

Nisin manovrat pro Moskës të koalicionit të ri qeveritar në Mal të Zi. Një nga drejtuesit e Frontit Demokratik, partisë më të madhe të aleancës qeverisëse, Milan Knezeviç, i dënuar edhe për tentativën për grusht shteti në vitin 2016, deklaroi për një gazetë të Moskës se ai është pro heqjes së sanskioneve ndaj Rusisë, që Mali i Zi, ka marrë si koordinim me vendet e Bashkimit Europian.

Knezeviçc dha një intervistë për revistën ruse “Expert”, dhe kur u pyet nga gazetari Sergei Belous nëse ka një shans që Podgorica zyrtare tani të heqë sanksionet anti-ruse ai tha:

“Është shumë e rëndësishme që qeveria e re të punojë mbi parimin e konsensusit dhe është e nevojshme të dihet se aktualisht ka disa faktorë politikë në të që besojnë se sanksionet anti-ruse duhet të mbesin në fuqi. Personalisht, unë mendoj se sanksionet kundër Rusisë duhet të hiqen, por si një politikan i përgjegjshëm dhe serioz, unë nuk mund të insistoj në këtë ose të vë në dyshim punën e qeverisë së ardhshme për shkak të kësaj çështjeje”.

Ai shtoi se ai beson se qëndrimi i BE, kryesisht i Gjermanisë dhe Francës, si dhe i Amerikës ndaj Rusisë, do të ndryshojë në një drejtim pozitiv, i cili do t’i mundësojë Podgoricës të relaksojë situatën në mënyrë që të mund të heqë sanksionet kundër Rusisë.

Në pyetjen e gazetarit se a ka ndikuar sanskionet kundër Rusisë në ekonominë e Malit të Zi, Knezevic kujton se u arrit një marrëveshje brenda qeverisë së re për të mos lëvizur në. çështje të politikës së jashtme që mund të rrezikojnë punën e qeverisë.

“Sidoqoftë, ne jemi ende të përkushtuar ndaj idesë për të bërë gjithçka për ta bërë Malin e Zi një anëtar të Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, por gjithashtu për të zhvilluar marrëdhëniet më të mira të mundshme me Serbinë dhe Rusinë. Ashtu siç bëjnë SHBA dhe BE. “Pavarësisht nga sanksionet kundër Rusisë – ne ndiejmë tendenca dhe prirje të caktuara që çojnë në ngrohje në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe BE ndaj Rusisë,” deklaroi ai.

Ai beson se Serbia dhe Rusia duhet të jenë në plan të parë dhe të perceptohen si vendet më të afërta me të cilat Mali i Zi ka pasur lidhjet më të ngushta gjatë gjithë historisë.

“Ne, si qeveria e re, duam të kemi marrëdhënie të ekuilibruara dhe miqësore me partnerët tanë perëndimorë, por gjithashtu duam të përmirësojmë marrëdhëniet me Rusinë në bazë të përfitimit të ndërsjellë,” tha ai.

Ai shtoi se Mali i Zi është i vetëdijshëm se në të kaluarën e afërt, Rusia dhe qytetarët e saj kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e PBB-së malazeze, si dhe që standardi i qytetarëve malazezë është bërë më i lartë falë investimeve ruse.

“Unë seriozisht pres që në nivelin global, së shpejti do të ketë një ngrohje në marrëdhëniet, nga e cila Mali i Zi do të përfitojë,” tha ai.

Ndërkaq, kandidati për kryeministër i koalicionit fitues, Zdravko Krivokapiç, deklaroi se ftesën e parë për të vizituar Malin e Zi do t’ja bënte Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, si një vullnet për të treguar prioritetet e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryetari i sapozgjedhur i parlamentit të Malit të Zi Aleksa Beçiç, përfaqësues i grupeve centriste të koalicionit, deklaroi se nuk do të mbështeste një iniciativë të marrë nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, për të rrëzuar mauzoleun e mbretit serb Aleksandër Karagjorgjeviç në Cetinje.

Dy ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka takuar në Beograd dy krerët e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Metropolitin Amfilohije, dhe Peshkopin e Budvës dhe Nikshiqit, Joanikije, të cilët konsiderohen si krerët real të opozitës që mundi Milo Gjukanoviçin.

Siç bëri të ditur portali rus Sputnik, në takim u theksua posaçërisht që Serbia dhe Mali i Zi duhet të zhvillojnë marrëdhënie gjithëpërfshirëse dhe shumë të afërta me njëri-tjetrin.(Gazeta Shqip)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu