Koiçidenca “mistike” e 20 shkurtit ’91, binte Enveri, ngrihej Komuniteti Musliman

Fatmir Çepani, një kameraman i redaksisë së lajmeve në TVSH, do futej në historinë e gazetarisë atë ditë të ftohtë shkurti të datës 20, të vitit 1991, pasi do qe njeriu i cili do fiksonte në kamera rënien e bustit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”.

I gjendur në kohën e monentin e duhur, ai do bënte profesionalisht gjënë e duhur. Po pse u gjend në shesh atë ditë?

Në një rrëfim të tij për ciklin “Dosja K” të gazetares Admirina Peçi në A1 Report, i zbulon një të pathënë të deritanishme, një lloj koiçidence me natyrë mistike. Atë ditë është themeluar Komuniteti Musliman Shqipëri, një aktivitet që ka qenë duke u zhvilluar përballë bustit të diktatorit, pikërisht në Pallatin e Kulturës.

Ndaj, kameramani Fatmir Çepani, është ndodhur aty pikërisht për regjistrimin e këtij aktiviteti, që më pas do jepej në lajme.

“Në rutinën e punës që morëm atë ditë, ishte dhe porosia për të vajtur në Pallatin e Kulturës bashkë me gazetaren Amali Dhamo.

Do krijohej Komuniteti Musliman Shqiptar dhe detyra ishte për të regjistruar dhe pasqyruar si aktivitet. Natyrisht kishte edhe grupe të tjera që u caktuan me detyra të tjera. Vajtëm. Aktiviteti ka qenë në orën 9.00.

Ne shoqëronim kryetarin e opozitës së asaj kohe, Sali Berisha. Aktiviteti filloi. Berisha qëndroi jo më shumë se 5 minuta. Berisha me atë hovin dhe zhdërvjelltësinë e tij, sa erdhi ndenji pak minuta dhe tha ‘faleminderit që më ftuat në ceremoninë e krijimit të Komunitetit Musliman Shqiptar.

Ju uroj suksese, por natyrisht nuk rri dot më shumë, sepse ju e dini, studentët kanë ditë që kanë hyrë në protestë(greva e urisë) në Qytetin Studenti. Kështu që do të më falni’”, rrëfeu Fatmir Çepani. Më pas ai tha se diçka nuhati, e kjo e detyroi që të rrinte aty në shesh, ndërkohë që kasetën me materialin e themelimit të KMSH-së, e çoi në redaksi.

E më vonë ndodhi ajo që ndodhi, e cila ishte pika më kulmore e protestave studentore të nisura muaj më parë. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu