Komandanti i KFOR-it: Nuk lejojmë trazira në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari, ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, veçmas në veri të vendit si dhe për mundësitë e trazirave në rast të mosarritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sa i përket zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e automjeteve dhe letërnjoftimeve për qytetarët serbë.

Komandanti i KFOR-it ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në pjesën veriore është qetësuar pas ngjarjeve të fundit, teksa ka thënë se pret që negociatat që janë në vazhdim të rezultojnë me një marrëveshje.

Ai ka pranuar se KFOR-i e ka rritur praninë e vet në veri të vendit. “KFOR-i ka vendosur pikat e vrojtimit dhe pikat e kontrollit teknik në të gjithë hapësirën. Po ashtu, kemi rritur edhe aktivitetin patrullues në gjithë rajonin. Këto masa janë marrë për të qenë në gjendje për çfarëdolloj incidenti dhe për një siguri më të madhe. Nëse ka tensione, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, ka thënë Kajari në një intervistë për RTK-në.

Ai ka thënë se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve, sepse Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë, që ai i ka quajtur detyra madhore: ‘Për ta mbajtur mjedisin e sigurt dhe rregullin në Kosovë dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët’.

“Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka shtuar Kajari.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe për gjithçka të negociohet dhe të arrihet marrëveshje politike, pasi sipas tij ‘vendosja e barrikadave nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës’.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu