Në mënyrë shumë të beftë, krejt papritur në një kohë kur prapaskena politike po përgatitej për zgjedhje parlamentare në muajin korrik, Bashkimi Demokratik për Integrim shpalosi në opinion moton e saj të re, të disatën me rradhë për këto zgjedhje parlamentare, “kryeministri shqiptar”, shkruan InfoShqip.
E shumë propaganduar nga aktivistët e partisë së Ahmetit, eksponentët dhe mediat e afërta të tyre, ideja e “kryeministrit shqiptar” po mundohet të shitet në opinion si një synim i përbashkët i gjithë shqiptarëve, e mirëmenduar dhe orkestruar nga kryetari i tyre Ahmeti, por ajo çka e bën të pabesueshme këtë tezë të tyre janë zgjedhjet e pa mbajtura të 12 prillit.
Muaji mars i gjeti shqiptarët në një atmosferë të nxehtë elektorale, pothuajse u kryen të gjitha procedurat e nevojshme parazgjedhore për zgjedhjet e prillit, KQZ punonte për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, u hartuan edhe listat e kandidatëve për deputetë tek të gjitha partitë, e normalisht, nuk kishte si te mungonin as slloganet e partive, zgjedhjet ishin afër, asokohe pa asnjë pengesë për tu realizuar, por ajo që nuk u pa ishte sllogani i tanishëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili ndryshoi disa herë në pak muaj.
Nuk kishte si të mungonte “kryeministri shqitpar” në fushatën e nisur gjatë muajve shkurt dhe mars, në rast se kjo në të vërtetë do të ishte një synim i kahershëm dhe i mirëmenduar i Ali Ahmetit dhe strukturave të partisë së tij, por çfarë në të vërtetë ka qenë arsyeja që në kaq pak muaj, partia e Ahmetit ndryshoi slloganet, mënyrën e politik bërjes dhe fushatën e saj?
Anketa e IRI-t që nxorri Ali Ahmetin me rejting shumë të ulët tek shqiptarët shkaktoi tronditje tek partia e Ahmetit, për herë të parë në 18 vite lideri i integristëve nuk qëndronte i pari në rënditje sa i përket rejtingut, duke bërë që Bashkimi Demokratik për Integrim të ndryshojë qasje, strategji, fushatën dhe slloganin parazgjedhor dhe si ide më efikase për të rikuperuar disi dëmet e tyre u mendua ideja e “kryeministrit shqiptar”, në dukje unifikuese, që përfshin gjithë shqiptarët, por që në fund të çojë ujin tek mulliri i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Është e disata herë që Bashkimi Demokratik për Integrim mundohet të marrë ekskluzivitetin e synimeve kombëtare në fushatë parazgjedhore dhe kush nuk i bashkohet këtyre thirrjeve, që në të vërtetë janë politike, partiake me interes elektoral dhe jo ashtu siç propagandohen, do shpallet nga aktivistët e Ahmetit si tradhëtar dhe dashakeqës i shqiptarëve.
Po a e beson elektorati shqiptar idenë e fundit të Ahmetit? Ata thonë se janë skeptik në një gjë të tillë, dalja e befasishme e kësaj ideje në prag të fushatës elektorale në kohë ku Ahmeti po lufton për tu rikthyer në krye të tabelës, tashmë të humbur tek shqiptarët, nuk ka qëllim tjetër veç se përfitim i pikëve politike./InfoShqip.com










