Komuna e Çairit përgjigjet për Haqim Ramadanin

Nga komuna e Çairit kanë dalë me sqarim rreth punësimit të ish-kandidatit për kryetar të komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, i sili në Open Finance, figuron se merr pagë mujore prej rreth 1,000 euro nga Komuna e Çairit. Komuna e Çairit deklaron se të gjitha angazhimet dhe pagesat bëhen në përputhje me ligjin dhe janë të dokumentuara e të verifikueshme. Nga komuna hedhin poshtë pretendimet për parregullsi.

“Komuna e Çairit informon opinionin publik se të gjitha angazhimet realizohen mbi bazën e procedurave të qarta ligjore, kontratave dhe shërbimeve konkrete të kryera. Çdo person i angazhuar ka detyrime të përcaktuara, ndërsa çdo pagesë është e evidentuar, e dokumentuar dhe plotësisht e verifikueshme. Komuna nuk praktikon dhe nuk do të lejojë angazhime fiktive apo pagesa pa bazë reale. Në përpjekje për të devijuar vëmendjen nga thelbi, po plasohen konstrukte politike që nuk kanë asnjë lidhje me faktet.

Në vend që të shtrohet çështja nëse dikush është banor i caktuar, thelbi është nëse puna është kryer dhe në këtë rast ajo është qartësisht e dokumentuar dhe e konfirmuar. Është ironike që pikërisht ata që për vite me radhë nuk vendosën standarde të transparencës, sot përpiqen të mbajnë leksione për llogaridhënie. Dallimi sot është i qartë: çdo proces është i hapur, i verifikueshëm dhe i nënshtrohet shqyrtimit publik. Komuna e Çairit mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj parimeve të ligjshmërisë, llogaridhënies dhe menaxhimit profesional. Nëse ekziston çfarëdo dyshimi për keqpërdorim, ne jemi të parët që do të kërkojmë zbardhje të plotë dhe përgjegjësi”, thuhet në reagimin e Komunës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu