Komuna e Podujevës iu kërkon prindërve t’i dërgojnë fëmijët nga e enjtja në shkollë

Drejtoria Komunale e Arsimit në Podujevë, ka kërkuar të mërkurën nga mësimdhënësit dhe prindërit e nxënësve që të rifillojë procesi mësimor që nga e enjtja.

Në komunikatën e përbashkët të DKA-së dhe Këshillit të Prindërve të Podujevës, e bërë publike nga drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, thuhet se kjo kërkesë vjen pasi të dëmtuarit nga situata e krijuar janë nxënësit.

Sipas Fetahut, një numër i madh i mësimdhënësve kanë shprehur vullnet që t’i kthehen procesit.

“Karshi përgjegjësisë që na takon si DKA dhe Këshill i Prindërve nuk mund të rrimë duarkryq karshi kësaj situate, ne kërkojmë nga ana e prindërve në Komunën e Podujevës, që nga nesër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, duke e parë edhe vullnetin e një numri të madh të mësimdhënësve t’i kthehen procesit mësimor. Urojmë që prezenca e nxënësve në shkolla nga nesër të gjej edhe mirëkuptimin e mësimdhënësve të tjerë dhe të fillojë procesi mësimor”, ka shkruar Fetahu në Facebook.

Qëkur nisi greva më 25 shkurt, të cilës i janë bashkuar mësimdhënësit parauniversitar nga pothuajse të gjitha shkollat në Kosovë, procesi mësimor ka nisur në dy fshatra të Kamenicës.

Mësimi në këto fshatra ka filluar nga e marta.

Punëtorët e arsimit dhe të administratës publike po kërkojnë nga Qeveria shtesa në pagë prej 100 eurosh deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu