Komuna e Vrapçishtit nuk ka krizë! Shabani: 2022 është super vit falë menaxhimit të mirë

Derisa të gjitha institucionet qendrore dhe lokale ankohen nga kriza energjetike, Komuna e Vrapçishtit thotë se nuk ka asnjë borxh ndaj operatorëve energjetik. Kryetari i Komunës së Vrapçishtit Isen Shabani në një intervistë për televizionin Globi, thotë se janë komuna e vetmja në nivel shtetëror që nuk kanë asnjë borxh ndaj operatorëve.

“Dëgjojmë edhe institucionet në nivel qendror nga ministritë, drejtoritë, etj., për fat të mirë këtë nuk e ka Komuna e Vrapçishtit dhe konkretisht ndaj kompanisë EVN dhe kompanive të tjera që bëjnë distribuimin e rrjetit elektrik, ne jemi zero me zero. I kemi mbajtur në kontrollë financat për çdo muaj me çdo faturim nga ata dhe kemi arritur ti paguajmë. Jemi e vetmja komunë në nivel shtetëror që nuk kemi asnjë borxh ndaj operatorëve energjetik”, deklaron Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

Sipas Shabanit menaxhimi i mirë dhe kursimi me kohë ka sjellur në situatë pozitive që komuna e Vrapçishtit sot të mos ketë pengesa në funksionim si pasojë e krizës energjetike.

“Është çështje e menaxhimit, gjithçka në fund lidhet me menaxhimin. Kuptohet se kryetarët e komunave janë ata që duhet të menaxhojnë përpos punëve profesionale që kanë me sektorët dhe njësitë udhëheqëse. Kryetari i komunës duhet të menaxhojë edhe financat dhe në fund të ketë një rezultat që pastaj mos ketë probleme në funksionim apo të çalojnë. Komuna e Vrapçishtit këtë problem nuk e ka”, deklaron Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

Shabani e quan super vit vitin 2022 pasi ende pa mos u mbyllur i njejti, kanë arritur të grumbullojnë 90 përqind të tatimeve.

“Edhe pse kemi kaluar në dy vite në pandemi ku ne kemi pasur një tolerancë gjatë atyre dy viteve, tani kemi një vit që mund ta quaj super vit në lidhje me tatimet ku kemi arritur në 90% për vitin 2022 të realizojmë pagesat e tatimit në pronë dhe kemi marrë edhe një konstrukt në dhjetë vitet e kaluara dhe deri tash të gjitha detyrimet që kanë qenë para dhjetë viteve, që nuk janë shlyer nga qytetarët, përqindja e sajë është realizuar në 43% në të gjithë territorin e Komunës së Vrapçishtit. Kjo ka qenë edhe një ndihmë financiare e mirë për komunën që ka mundur pastaj të menaxhojë edhe me situatat tjera financiare që janë paraqitur”, deklaron Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

Komuna e Vrapçishtit në periduhë krize sipas kreut të saj, ka arritur edhe të ulë borxhin që e ka trashëguar nga e kaluara.

“Kemi trashëguar 2,2 milionë euro borxh dhe 500 mijë nga ndërmarrja, pra kemi trashëguar në total 2,7 milionë euro borxh dhe tani jemi në borxh me 1,3 milionë euro”, deklaron Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

Bilanci i mirë financiarë ka mundësuar, thotë Shabani, të realizojnë disa investime kapitale sivjet si në infrastrukturën rrugore, në shkolla, ujësjellës, kanalizime dhe nisjen e ndërtimin të objektit të zjarfikësve dhe të një qendre për fëmijët me autizëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu