Kongresi voton për shkarkimin e Trump, fjala e fundit në Senat

Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka votuar për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe pengim të një hetimi të kongresit.

Demokratët akuzojnë Trump se abuzoi me detyrën e tij duke i kërkuar Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky të nisë një hetim ndaj Joe Biden, ish-zv/president dhe kandidat kryesor për nominimin presidencial nga radhët e demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Sipas akuzave, Trump kushtëzoi shërbimin për zhbllokimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Hapi tjetër do të jetë një gjykim në Senat, i cili do të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm. Aty do të përcaktohet nëse ai do të largohet apo jo nga detyra. Njëqind senatorë do të bëjnë një juri, e cila do të drejtohet nga Presidenti i Gjykatës Supreme, John Roberts.

Trump, ndërkohë, shkroi në Twitter duke u bërë thirrje mbështetësve tëtij që të luten për të.

Trump postoi në Twitter 45 postime para mesditës në ditën kur duhet të mbahej votimi për impeachmentin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

Megjithëse Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur që presidenti do të jetë shumë i zënë për t’u përqëndruar në ato që po ndodhin në Kongres, Trump ka shpenzuar tërë mëngjesin duke shprehur pakënaqësi dhe kundërshtim përmes tweet-eve dhe retweet-ve, raporton AP.

“A mund të besoni se unë do të shkarkohem nga e majta radikale? Demokratët që nuk bëjnë asgjë, dhe që unë nuk kam bërë asgjë të keqe! E tmerrshme. Kjo nuk duhet t’i ndodhë kurrë më një presidenti tjetër. Lutuni!”, shkroi ai.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham tha se Trump ishte i irrituar nga procesi i shkarkimit.

Ajo theksoi se ai nuk kishte bërë asgjë të keqe dhe se ishte përqëndruar në postin e tij presidencial.

Shtëpia e Bardhë tha pas votimit se ishte e sigurt se Senati do të shpëtojë Trump.

“Një nga episodet më të turpshme në historinë e kombit tonë ka ndodhur në Dhomën e Përfaqësuesve,” tha zëdhënësha e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham.

Më herët Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi e quajti Trump një “kërcënim për demokracinë Amerikane”.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur demokracinë për njerëzit”, tha Pelosi. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu