Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se e ka kthyer Serbinë në një qendër për rekrutimin dhe trajnimin e personave të përfshirë në terrorizëm dhe sabotazh të lidhur me Rusinë.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Wilson shkroi se njëri prej të dyshuarve për një sulm të dështuar rus ndaj Gjermanisë kishte udhëtuar nga Lajpcigu drejt Serbisë.
“Vuçiq e ka kthyer Serbinë në një qendër për rekrutimin dhe trajnimin për terrorizëm dhe sabotazh rus”, shkroi Wilson.
Ai shtoi se agjentët e Vladimir Putinit nuk duhet të jenë të mirëpritur në Evropë, duke bërë thirrje për një qëndrim më të ashpër ndaj lidhjeve të Serbisë me Moskën.
Wilson është deputet republikan nga Karolina e Jugut dhe kryeson Komisionin Amerikan të Helsinkit. Ai ka qenë një zë i fortë në Kongres për shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus dhe për integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Në korrik, ai kishte deklaruar se Serbia duhet të distancohet nga Moska, Pekini dhe Teherani nëse synon integrim të plotë në institucionet perëndimore.
Kongresmeni amerikan po ashtu ka mbështetur zhvendosjen e sesionit të vitit 2027 të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Beogradi në Charleston të Karolinës së Jugut, duke përmendur ndër të tjera shqetësimet për ndikimin rus në Serbi.










